Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Salihu: Duket se Kurti e ka seriozisht që posti i presidentit të mbetet nën ombrellën e VV-së

Bekim Salihu

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron që postin e presidentit ta mbajë nën ombrellën e Lëvizjes Vetëvendosje. Salihu ka thënë se arsyeja pse sot nuk u konstitua Kuvendi është se Kurti po dëshiron t’u mundësojë partnerëve të propozojnë një emër për kryetar të Kuvendit. 

“Z. Kurti i ka votat edhe për qeveri edhe për Kuvend. Fakti që z. Kurti nuk e propozoi sot kryetarin e Kuvendit, ishte jo lojë politike por më shumë gatishmëri politike e tij që të reflektojë ose t’ua mundësojë partnerëve të propozojnë një emër për kryetar të Kuvendit e që të mos jetë i Vetëvendosjes. Duket se z. Kurti e ka përnjëmend se nuk dëshiron që presidenti të kalojë në nivele tjera politike. Dëshiron të mbetet nën ombrellën e VV-së”, ka thënë Salihu në Speciale në KTV. 

Salihu ka thënë se Kosova në vitet e fundit është shndërruar në shtet ku të gjitha vendimet politike janë orientuar vetëm në aktgjykime të Kushtetueses. 

“Jemi shndërruar në një shtet ku të gjitha vendimet ose vendimmarrja politike është e orientuar apo e bazuar vetëm në aktgjykime e jo në vendimmarrje demokratike që del si rezultat i proceseve elektorale apo kompromiseve të nevojshme të lidershipit...Edhe sot u dërguan mesazhe që prapë edhe kjo legjislaturë, qysh në fillet e saj, do të përballet me vendime të rëndësishme ose të rrezikshme të Gjykatës Kushtetuese, të rrezikshme në kuptimin e funksionimit natyrisht”, ka thënë Salihu në Speciale në KTV.

Salihu po ashtu ka deklaruar se LDK-ja e kërkon postin e presidentit, pasi ai është posti që nuk mund të shkarkohet nga kryeministri.

Lexo përditësimet tjera
KTV - Speciale

Speciale: Konstituimi i Kuvendit mbetet pezull, çka pas?