Hoxha: Deri tash, parimi i Kushtetutës është shkelur në të gjitha rastet, pos rastit të Jahjagës
Erblin Hoxha, njohës i çështjeve politike, ka thënë se në të gjitha rastet, pos atë të Atifete Jahjagës, me zgjedhjen e presidentëve është shkelur parimi kushtetues që presidenti të jetë unifikues i të gjithëve.
Në “Specialen” në KTV të enjten, Hoxha ka thënë se në fjalimet e fundit kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se ka hequr dorë që një partiak i tij ta udhëheqë Presidencën. Sipas tij, këtë Kurti e ka kërkuar edhe nga Lidhja Demokratike me të cilën po negocion për formim të institucioneve.
“Ne gjithmonë e kemi thyer Kushtetutën, pos zonjës Jahjaga që s’ka qenë e përfshirë në politikë. Parimisht me të gjithë të tjerët e kemi shkelur Kushtetutën... Kemi pasur president që nuk e kanë thyer ligjin, por kanë shkelur parimet e Kushtetutës. Parimi i Kushtetutës thotë që presidenti duhet të jetë unifikues i të gjithëve. Cili prej presidentëve partiakë që e kemi pasur ka qenë unifikues i të gjithëve? Asnjëri. Parimi është thyer këtu. Ata janë pajtuar mes vete sepse i kemi pasur dy parti që kanë thënë se ‘për ne s’ka problem, këta janë të vegjël e s’mund të na bëjnë gjë’. Parimi thotë se presidenti/presidentja s’duhet të anojë as në të majtë, as në qendër, as në të djathtë, por të jetë personifikim i unitetit të përgjithshëm”, ka thënë ai.
Salihu: Duket se Kurti e ka seriozisht që posti i presidentit të mbetet nën ombrellën e VV-së
Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron që postin e presidentit ta mbajë nën ombrellën e Lëvizjes Vetëvendosje. Salihu ka thënë se arsyeja pse sot nuk u konstitua Kuvendi është se Kurti po dëshiron t’u mundësojë partnerëve të propozojnë një emër për kryetar të Kuvendit.
“Z. Kurti i ka votat edhe për qeveri edhe për Kuvend. Fakti që z. Kurti nuk e propozoi sot kryetarin e Kuvendit, ishte jo lojë politike por më shumë gatishmëri politike e tij që të reflektojë ose t’ua mundësojë partnerëve të propozojnë një emër për kryetar të Kuvendit e që të mos jetë i Vetëvendosjes. Duket se z. Kurti e ka përnjëmend se nuk dëshiron që presidenti të kalojë në nivele tjera politike. Dëshiron të mbetet nën ombrellën e VV-së”, ka thënë Salihu në Speciale në KTV.
Salihu ka thënë se Kosova në vitet e fundit është shndërruar në shtet ku të gjitha vendimet politike janë orientuar vetëm në aktgjykime të Kushtetueses.
“Jemi shndërruar në një shtet ku të gjitha vendimet ose vendimmarrja politike është e orientuar apo e bazuar vetëm në aktgjykime e jo në vendimmarrje demokratike që del si rezultat i proceseve elektorale apo kompromiseve të nevojshme të lidershipit...Edhe sot u dërguan mesazhe që prapë edhe kjo legjislaturë, qysh në fillet e saj, do të përballet me vendime të rëndësishme ose të rrezikshme të Gjykatës Kushtetuese, të rrezikshme në kuptimin e funksionimit natyrisht”, ka thënë Salihu në Speciale në KTV.
Salihu po ashtu ka deklaruar se LDK-ja e kërkon postin e presidentit, pasi ai është posti që nuk mund të shkarkohet nga kryeministri.
Ramaj: Kjo që ndodhi sot në Kuvend ishte presion ndaj LDK-së nga VV-ja
Gazetarja Saranda Ramaj e ka parë si presion ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkesën e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të shtyrë çështjen e konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të ketë më shumë kohë për të për të negociuar për çështjen e formimit të institucioneve
LVV-ja dhe LDK-ja i kanë konsideruar pozitive diskutimet mes tyre deri tash. Megjithatë, Kurti u shpreh se pa u zgjidhur çështja e presidentit s’duhet të vazhdohet as me tjerat.
“E pashë si në presion të Kurtit karshi LDK-së për të mos lëvizur nga pozicioni i tij dhe i VV-së që pozitën e presidentit të mos ua japin LDK-së, por në anën tjetër atë që është thënë edhe publikisht nga akterë të të dy partive, se u është ofruar pozita e kryeparlamentarit”, ka thënë Ramaj në Specialen e KTV-së të enjten.
Ramaj ka vlerësuar se s’do të ishte problematike nëse sot do të zgjidhej kryetar Kuvendi dikush i VV-së e pas arritjes së marrëveshjes të kishte ndërrim, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Ajo ka thënë se Kurti e sheh LDK-në si partner më të brishtë për shkak të fuqisë politike por edhe për shkak të ndarjes brenda partisë.
Ramaj ka thënë se Kurti mund të jetë i hapur edhe për zgjedhje të reja duke marrë parasysh rezultatin e dobët të partive të tjera parlamentare në zgjedhjet e fundit.
Sot në Kuvend nisi seanca konstituive. Megjithatë, Kosova nuk është bërë me Kuvend funksional. Legjislatura e njëmbëdhjetë nuk është konstituuar në seancën që nisi të enjten, meqë ajo u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka kërkuar kohë shtesë për diskutime me përfaqësues të partive, me synimin për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit.
Dy partitë opozitare, PDK-ja e AAK-ja kanë refuzuar diskutimet me Kurtin, ndërsa me LDK-në ka mbajtur tri takime që janë cilësuar pozitive.
Koci: Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri nesër, atëherë shkelet Kushtetuta
Politologu Melazim Koci ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri të nesër atëherë do të shkelet Kushtetuta.
Koci në Speciale në KTV ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit të kaluar është shumë i qartë dhe thotë se Kuvendi duhet të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror zgjedhor.
Koci thotë se ishte i befasuar që Lëvizja Vetëvendosje nuk e konsitutoi Kuvendin sot, duke marrë parasysh se i ka numrat. Vetëvendosja e vetme me minoritetet mund ta bëjë shumicën në Parlament.
“Nëse deri nesër në ora 24:00 nuk konstituohet Parlamenti, atëherë sipas aktgjykimit të vitit 2025 nuk mbetet asnjë dilemë. Është shkelje kushtetuese, pasi aktgjykimi ishte shumë i qartë, i prerë dhe konciz. Parlamenti duhet të konsiderohet brenda 30 ditëve. Ai afat mbaron nesër jnë ora 24:00”, ka thënë Koci.
Ai ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi atëherë pret që [ështja të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese dhe aty të bëhet ndonjë dispozitë qartësuese ose të dërgohet vendi automatikisht në zgjedhje. Koci ka thënë se në aktgjykimin e Kushtetueses të vitit 2025 nuk përmendet ndonjë masë në rast se nuk konstituohet Kuvendi.