Gazetarja Saranda Ramaj e ka parë si presion ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkesën e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të shtyrë çështjen e konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të ketë më shumë kohë për të për të negociuar për çështjen e formimit të institucioneve
LVV-ja dhe LDK-ja i kanë konsideruar pozitive diskutimet mes tyre deri tash. Megjithatë, Kurti u shpreh se pa u zgjidhur çështja e presidentit s’duhet të vazhdohet as me tjerat.
“E pashë si në presion të Kurtit karshi LDK-së për të mos lëvizur nga pozicioni i tij dhe i VV-së që pozitën e presidentit të mos ua japin LDK-së, por në anën tjetër atë që është thënë edhe publikisht nga akterë të të dy partive, se u është ofruar pozita e kryeparlamentarit”, ka thënë Ramaj në Specialen e KTV-së të enjten.
Ramaj ka vlerësuar se s’do të ishte problematike nëse sot do të zgjidhej kryetar Kuvendi dikush i VV-së e pas arritjes së marrëveshjes të kishte ndërrim, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Ajo ka thënë se Kurti e sheh LDK-në si partner më të brishtë për shkak të fuqisë politike por edhe për shkak të ndarjes brenda partisë.
Ramaj ka thënë se Kurti mund të jetë i hapur edhe për zgjedhje të reja duke marrë parasysh rezultatin e dobët të partive të tjera parlamentare në zgjedhjet e fundit.
Edhe
PDK-ja dhe Aleanca në Kuvend, i kërkojnë Kurtit kthimin e procesit në binarët kushtetues
Sot në Kuvend nisi seanca konstituive. Megjithatë, Kosova nuk është bërë me Kuvend funksional. Legjislatura e njëmbëdhjetë nuk është konstituuar në seancën që nisi të enjten, meqë ajo u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka kërkuar kohë shtesë për diskutime me përfaqësues të partive, me synimin për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit.
Dy partitë opozitare, PDK-ja e AAK-ja kanë refuzuar diskutimet me Kurtin, ndërsa me LDK-në ka mbajtur tri takime që janë cilësuar pozitive.