Deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë mbajtur fjalime në sallën e Kuvendit, duke kërkuar që të vazhdojë seanca konstituive. Ata i bënë thirrje kryetarit të VV-së, Albin Kurti, që ta kthejë procesin e formimit të institucioneve në binarët kushtetues dhe ta konstituojë Kuvendiv. Në sallë nuk ishte e pranishme as VV-ja dhe as partia tjetër opozitare, LDK. Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të u thirr më 6 gusht, por nuk arriti të përfundojë në dy tentativat e deritanishme. Kryetari i VV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për diskutime rreth çështjes së presidentit. Nga procesi i konstituimit kanë mbetur të votohen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. PDK-ja e ka bërë të qartë se nuk do të zhvillojë diskutime me VV-në, ndërsa Aleanca ka kushtëzuar çdo diskutim me përmbushjen e gjashtë kërkesave të saj. Në këtë situatë, vëmendja është kthyer te LDK-ja, e cila ka hequr dorë nga kërkesa për postin e presidentit dhe për pjesëmarrje në bashkëqeverisje me VV-në, duke u shprehur e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e një presidenti konsensual. PDK-ja e Aleanca po shkojnë në sallën e Kuvendit çdo 48 orë, duke thënë se po respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses.
Zemaj: LVV-ja duhet ta thërrasë seancën, askush s’është mbi institucionet
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, teksa i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që ta thërrasë seancën konstituive.
“Lëvizja Vetëvendosje duhet ta thërrasë seancën! Konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë. Askush nuk guxon t’i mbajë peng institucionet e vendit dhe ta thellojë krizën politike. Provokimi i situatës nuk është në interes të Kosovës. Pushtetet shkojnë e vijnë, por Kosova është mbi të gjitha. Mjaft me këto lojëra politike. Pushteti fitohet dhe mbahet në mënyrë demokratike, përmes rregullave, ligjeve dhe Kushtetutës. Askush nuk është mbi institucionet dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng shtetin”, ka shkruar ai në Facebook.
Të enjten, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se partia e tij ka vendosur ta japë votën për kandidat konsensual për president duke hequr dorë nga përcaktimi paraprak se çdo marrëveshje me LVV-në duhet të nënkuptojë që ky post t’i takojë LDK-së.
“Le t’i ketë të gjitha LVV-ja”, ka thënë Abdixhiku pas mbledhjes së deputetëve të LDK-së të enjten.
Ramadani: Vakumi institucional rrezikon sigurinë kombëtare
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka thënë se shtyrja e formimit të institucioneve po çon në vakum shtetëror. Sipas tij, ky vakum rrezikon sigurinë kombëtare.
Ramadani ka theksuar se shtetit i duhen institucione që mund t’i trajtojnë çështjet e rëndësishme aktuale, duke përmendur aty edhe kërcënimin e presidentit serb për rrjedhën e Ibrit.
“(Kurti) Nuk do me kuptu që vakumi institucional është baza e rrezikimit të sigurisë kombëtare... Kosova dhe ky Kuvend do duhej të jetë funksional për t’i trajtuar temat veç e veç, edhe kërcënimin me rrjedhën e Ibrit sepse nuk ka kush e trajton, edhe për çmimet e larta. Këta krejt çka po bëjnë është me ikë prej këtij Kuvendit, themelimit të institucioneve. Kjo situatë jo vetëm që nuk është normale, por është duke u futur në vakum institucional, shtetëror. Nuk do ta lejojmë, e kemi obligim të mos e lejojmë vakumin”, ka thënë ai nga salla e seancave të Kuvendit.
VIDEO:
Hamza: Kurti po e mban peng shtetin, pa respektuar Kushtetutën s’mund të flitet për tema madhore
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se Vetëvendosje ka kaluar një kufi kushtetues duke mos e konstituar Kuvendin brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë. Ai ka thënë se pa e kthyer procesin në binarët kushtetues, Kurti s’ka kredibilitet të hapë tema të tjera madhore shtetërore.
Hamza, i cili deklaratën e bëri në sallën e Kuvendit në prani të deputetëve të PDK-së dhe Aleancës, ka thënë se vendi tashmë nuk po përballet vetëm me krizë politike, por edhe me krizë kushtetuese dhe institucionale.
“VV-ja, Kurti, Haxhiu e Dehari e kanë kaluar një kufi që nuk është dashur ta kalojnë kurrë. Ata qëllimisht e kanë shkelur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Jo një afat të vendosur nga opozita, por nga Kushtetuta”, ka thënë Hamza.
Sipas tij, mungesa e një Kuvendi të konstituar dhe e një Qeverie me mandat të ri ka krijuar pasiguri institucionale.
“Institucionet po funksionojnë në terren të pasigurt, me shkelje të Kushtetutës, ndërsa përgjegjësia politike po shtyhet nga një ditë në tjetrën. Kjo nuk është normale dhe nuk do të lejojmë të bëhet normale”, u shpreh ai.
Hamza ka thënë se asnjë lider politik nuk mund ta interpretojë Kushtetutën sipas interesit të partisë së tij.
“Shteti nuk është Albin Kurti, por Kushtetuta. Janë institucionet dhe kufijtë që s’ka të drejtë askush t’i kalojë. Nuk ka mandat ta interpretojë Kushtetutën sipas interesit të partisë së tij”, deklaroi ai.
Kryetari i PDK-së paralajmëroi se rreziku më i madh, sipas tij, është krijimi i një precedenti për shkeljen e Kushtetutës.
“Precedenti po e bëjnë praktikë dhe praktikën e shkeljeve po na shesin si normalitet. E refuzojmë këtë. Nuk ka mandat politik mbi Kushtetutën. Partitë vijnë e shkojnë, por Republika duhet të mbetet”, ka shtuar Hamza.
Ai kërkoi nga Kurti që të reflektojë dhe ta kthejë procesin në, siç tha, “binarët kushtetues”, duke e bërë këtë kusht edhe për diskutimin e temave të tjera shtetërore.
“Pa u kthyer rendi kushtetues, me ne nuk mund të flitet. Përderisa nuk reflekton dhe nuk e kthen procesin në binarët kushtetues, Kurti nuk ka kredibilitet për të hapur tema të tjera madhore shtetërore”, përfundoi Hamza.
E nga holli i Kuvendit Hamza doli në konferencë nga ku tha se “pas qëndrimit të fundi të LDK-së, rruga është e hapur” për formimin e institucioneve.
“I kanë numrat, i kanë votat”, ka thënë ai duke shtuar se LVV-ja po e mban vendin në vakum institucional.
“Nuk ka situatë më serioze, nuk mund të ketë situatë më serioze sesa suspendimi i rendit kushtetues, sesa mosrespektimi i rregullores së punës së Kuvendit, sesa mosrepsektimi i vendimeve të gjykatave, përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Supreme”, deklaroi ai.
Hamza shtoi se PDK-ja nuk ka vendosur vija të kuqe bashkëpunimi me askënd, por për mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në ai theksoi se Kurti nuk e ka dashur atë por "nënshtrimin".
Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të u thirr më 6 gusht, por nuk arriti të përfundojë në dy tentativat e deritanishme. Kryetari i VV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për diskutime rreth çështjes së presidentit. Nga procesi i konstituimit kanë mbetur të votohen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. PDK-ja e ka bërë të qartë se nuk do të zhvillojë diskutime me VV-në, ndërsa Aleanca ka kushtëzuar çdo diskutim me përmbushjen e gjashtë kërkesave të saj. Në këtë situatë, vëmendja është kthyer te LDK-ja, e cila ka hequr dorë nga kërkesa për postin e presidentit dhe për pjesëmarrje në bashkëqeverisje me VV-në, duke u shprehur e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
PDK-ja e Aleanca po shkojnë në sallën e Kuvendit çdo 48 orë, duke thënë se po respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses.
VIDEO:
PDK-ja sërish para Qeverisë, Mustafa: Kurti është uzurpator, të vazhdojë seanca konstituive
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë “barrikaduar” sërish hyrjen e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, e ka cilësuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, “uzurpator”, duke thënë se ai nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe atë të kryeministrit.
“Ne, deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, jemi sërish këtu për t’i dhënë një mesazh të qartë deputetit Albin Kurti se fillimisht në këtë zyrë, në këtë ndërtesë është uzurpator, për shkak se në këtë vend nuk mund të jesh edhe deputet edhe kryeministër. Prandaj çdo ditë, çdo vendim që e merr në këtë ndërtesë është i paligjshëm dhe sigurisht që do të trajtohet në organet e drejtësisë kurdo që të vjen mundësia për t’i trajtuar këto vendime të cilat po vazhdon me i marrë pa pasur drejtë të ushtrojë rolin e kryeministrit”, tha ai për Ekonomia Online.
Mustafa tha se deputetët duhet të jenë në Kuvend dhe kërkoi nga Kurti që, sipas tij, t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.
“Deputetët e kanë vendin në Kuvend dhe aty duhet të jetë edhe deputeti Kurti për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit, krijimit të institucioneve dhe kthimit të vendit në normalitet. Kjo situatë është e padurueshme. Shteti nuk mund të mbetet peng i asnjë politikani. Kushtetuta, rregullorja e punës së Kuvendit janë të qarta. Nuk mundet askush të vendosë se kur do t’i zbatojë e kur nuk do t’i zbatojë. Në atë ditë kur një politikan vendos se cilin rregull, cilin ligj, cilin nen të Kushtetutës do ta zbatojë e cilin nuk do ta zbatojë, mund të themi lirisht se vendi është në rrezik të madh për shkak se po rrëshqet drejt autokracisë. Dhe për atë arsye, ne jemi këtu në mbrojtje të shtetit, në mbrojtje të demokracisë dhe nuk do të ndalemi derisa ta kthejmë vendin në normalitet, në binarë kushtetues dhe t’i japim vendit institucionet të cilat do t’i adresojnë nevojat e mëdha që i ka vendi”, tha ai.
Mustafa tha se PDK-ja nuk ka menduar për “taktizime” lidhur me kandidatët për deputetë, duke akuzuar Kurtin se po “abuzon me Avni Deharin”.
“Shiko, ne nuk kemi menduar asnjëherë taktizime të tilla, për shkak se kur e hartojmë listën e kandidatëve për deputetë, hartojmë një listë e cila e përfaqëson në mënyrën më të mirë qytetarin dhe pritet t’i shërbejë më së miri interesave të qytetarëve të Kosovës. Taktizimet e tilla bëjnë ata që kanë mentalitet dhe plan për të bllokuar institucionet, dhe kur jemi tek kjo pikë duhet pasur parasysh që Albin Kurti po abuzon me Avni Deharin”, tha ai.
Ai bëri të ditur se PDK-ja ka dërguar sërish kërkesë për vazhdimin e seancës konstituive dhe se do të qëndrojë në Kuvend deri në përfundimin e procesit të konstituimit.
"Po, dje e kemi dërguar letrën e radhës, ftesën e radhës për ta organizuar mbledhjen konstituive, për ta vazhduar mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe sigurisht që ne jemi këtu dhe do të jemi tash në Kuvend në pritje të vazhdimit të kësaj mbledhje. Kemi pranuar përgjigje nga Aleanca, të cilët do të jenë me ne në pritje të vazhdimit të mbledhjes konstituive, dhe sigurisht që do të vazhdojmë me kërkesat dhe me prezencën tonë në Kuvend deri në konstituimin e plotë të Kuvendit dhe institucioneve, Kuvendit dhe trupave kryesuese të Kuvendit”, tha ai.