Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sahiti shpalos “prapaskenat” e shkarkimit të tij, përfshin Nagavcin

Naser Sahiti, që të premten u shkarkua nga posti i rektorit të Universitetit të Prishtinës, e ka cilësuar të montuar dhe të pabazuar vendimin për largimin e tij. Në “Java Sonte me Rronin” të premten në KTV, Sahiti ka përmendur shumë akterë për kontribut në shkarkimin e tij.

Sipas tij, gjithçka lidhet me çështjen e rasteve të plagjiaturave nga profesorët dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së. Sahiti ka përmendur këtu emrin e Selim Bezerajt, anëtar të KD-së së UP-së, të cilin e ka paraqitur vetë të enjten në Këshill të Etikës. Ka implikuar edhe ministren Arbërie Nagavci.

Ai ka kujtuar thirrjet e ministres Nagavci që plagjiatorët s’e kanë vend në universitet, si një prej shkaqeve që kishte pasur shpresë për veprime pozitive në këtë aspekt.

“Historia e plagjiaturës së Selim Bezerajt niset herët edhe pse s’kam pasur detaje. Kur u aktualizua kjo çështje mu kthye memoria që edhe atë kohë ka pasur diçka, por jo që kam pasur diçka konkrete pos shkresës së ish-rektorit Ramadan Zejnullahu. Riaktualizimi ndodhi kur u emërua në Këshill Drejtues, si pozitë shumë e lartë dhe në fazën kur u ngrit çështja e Dugollit dhe Ardian Kastratit. E kisha të pamundur të shmangja të merrem me këtë çështje kur edhe publikisht vetë ministrja u deklarua. E dimë zotimin e ministres që nga viti i ardhshëm akademik do të merren veprime dhe ne kemi pritur që diçka e tillë do të ndodhë në të vërtetë”, ka thënë Sahiti.

Ai ka shtuar se pas përfundimit të pushimeve ka kërkuar nga Këshilli Drejtues ta çojnë në Këshill të Etikës rastin e Bezerajt. Megjithatë, sipas tij, përgjigja ka qenë që ka mungesë të fakteve. Pasi ka thënë se ato janë dorëzuar nga organizata ORCA, prapë rasti është heshtur.

“Kam pasur takime të shumta me ministren Arbërie Nagavci qëkur ka ardhur në detyrë, por nga koha kur u zgjedh kjo përbërje ishte i vetmi takim në shtator dhe aty kam pasur rastin ta pyes për herën e fundit se si do t’ia bëjmë këtë çështje që anëtari nis punën nga 1 tetori. Ne e kemi në plan ta trajtojmë plagjiatin, dhe ajo befasisht s’ka shprehur interesim përkundër deklaratës publike. Në takim ishte mosinteresim i pashpjegueshëm. S’kam marrë përgjigje konkrete. Mora përgjigje nga anëtarët se s’kanë materiale e pasi erdhën materialet, prapë thanë që s’duam ta bëjmë. Hoqën dorë tërësisht”, ka shtuar ai.

Sipas Sahitit, “shkëndijat” e para të shkarkimit janë kuptuar pak ditë më parë, pas telasheve të brendshme në menaxhim në Fakultetin e Mjekësisë. Sipas tij, të martën ai u njoftua se do të ketë një takim të premten për vlerësim të performancës së menaxhmentit.

“Këtu mu lidh krejt storia, që veprimet ndaj Bezerajt s’janë marrë qëllimisht sepse u prit ndërmarrja e veprimit tjetër, në këtë rast ndaj rektorit dhe aty duhej të kishte rolin e tij Bezeraj”, ka thënë Sahiti.

“E gjithë storia është çështje e montuar, mënyra e thirrjes së mbledhjes e deri te formulimi i pikës rreth shkarkimit”, ka thënë tutje ai duke shtuar se me statut të gjitha takimet e Këshillit Drejtues duhet të thirren në koordinim me rektorin.

“Qe një vit e gjysmë punoj me ta, e ku ishin deri tash që s’panë gjë. Si e morën këta detyrën, për dy javë duhet ta bëjnë vlerësimin e performancës së menaxhmentit qe dy vjet. Kjo tregon vetë”, ka thënë ai.

Artikuj të ngjashëm