Tri ditë pas shkarkimit të Naser Sahitit nga pozita e rektorit, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka hapur konkursin për këtë pozitë.
Pesëmbëdhjetë ditë do të zgjasë konkursi, e të drejtë kandidimi kanë profesorët që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e partive politike.
Kundër konkursit janë shprehur ish-senatorët studentë, të cilët kërkojnë zgjedhje të përgjithshme në Universitetin e Prishtinës, pasi, sipas tyre, anëtarët në pozitat udhëheqëse kanë mungesë të kredibilitetit.
“Sot, kur kemi në njërën anë përbërje të Senatit që zgjedh anëtarë skandalozë e politikë të Këshillit Drejtues e në anën tjetër emërimin e kushërirës së presidentes si u.d. e rektorit, e cila nuk ka as edhe një citim, zgjidhja e vetme është ajo e vitit 2015- zgjedhjet e përgjithshme në Universitet”, tha Arbër Gecaj, përfaqësues i organizatave studentore UDS-USPE-OPS-PS.
Në ditën e shkarkimit të rektorit, Këshilli Drejtues mbajti mbledhje për performacën e menaxhmentit të UP-së, të cilën e vlerësuan si të dobët dhe me mungesë strategjie.
E, Sahiti kishte refuzuar të merrte pjesë në këtë mbledhje me arsyetimin se ajo ishte e paligjshme dhe kishte vënë në dyshim kredibilitetin e anëtarëve të Këshillit për vlerësimin e punës së tij.
Ai pati thënë se anëtari i sapozgjedhur i Këshillit, Selim Bezeraj, dyshohet për plagjiaturë.
E ish-senatorët thonë se gjithçka ka qenë e planifikuar që nga zgjedhjet për anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues.
“Në qershor të këtij viti u mbajtën zgjedhjet për anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të UP-së. Ne si organizata studentore përfaqësoheshim me 7 studentë senatorë në Senatin e UP-së, pra kishim 7 anëtarë me të drejtë vote. Në ditën e votimit për shkak të kalkulimeve të klaneve të ndryshme të sponsorizuara nga Ministria e Arsimit nuk na u lejua të marrim pjesë në procesin e votimit”, tha Gecaj.
Pas dy vjetësh në krye të Rektoratit, Sahiti u shkarkua të premten me 9 vota për dhe 1 abstenim.
Deri në përfundimit të procesit të konkursit, ushtruese e detyrës së rektorit do të jetë Luljeta Plakolli-Kasumi.