Arbëri

Gjykata u jep të drejtë ish-studentëve senatorë, kërkohet dorëheqja e anëtarëve të KD-së dhe rektorit

Universiteti i Prishtinës

Universiteti i Prishtinës

Procesi i vjetshëm i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës është vlerësuar si i jashtëligjshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ish-senatorët studentë paditën UP-në për mohim të së drejtës për të marrë pjesë në proces. E, në seancën gjyqësore që u mbajt para një muaji, askush nga UP-ja nuk mori pjesë me arsyetimin se ishin në pushim vjetor

Disa nga ish-senatorët studentë të Unionit Demokratik Studentor (UDS) të martën kërkuan dorëheqjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues, rektorit dhe sekretarit, përmes një aksioni para objektit të Rektoratit.

Aksioni i tyre vjen pasi Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një aktgjykimi ka vlerësuar se në qershor të vitit të kaluar ish-senatorëve studentë iu është mohuar në mënyrë të jashtëligjshme pjesëmarrja në zgjedhjen e anëtarëve aktualë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Në padinë që para një viti e ka bërë ish-senatori Lirigzon Hoxha, gjykata gjeti se padia është e bazuar. Gjykata në aktgjykim theksoi se ka mungesë të bazës ligjore në vendimin e Senatit që senatorët studentë aktualë të votojnë për zgjedhjen e pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.

Çështja e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues ka përfunduar në gjykatë, pasi ish-senatorëve studentë në qershor të vitit të kaluar iu bllokua hyrja nga policia për të marrë pjesë në mbledhjen e Senatit.

Ndërsa senatorët studentë të zgjedhur pak kohë më parë u lejuan të votojnë për anëtarët e Këshillit Drejtues, pas një interpretimi ligjor që pati dhënë sekretari i përgjithshëm i UP-së, Besfort Krasniqi. Edhe pse Statuti i UP-së përcakton që mandati i senatorëve studentë fillon më 1 tetor, Krasniqi pati thënë në mbledhje të Senatit se rregullorja për procedurat përzgjedhëse të Parlamentit Studentor ua lejon senatorëve të rinj që të marrin pjesë në zgjedhjen e strukturave të reja qeverisëse.

Festim Tasholli, sekretar i UDS-së, ka thënë se të gjitha vendimet e Këshillit Drejtues duhet të anulohen.

“Përpos dorëheqjes së tyre ne kërkojmë që të gjitha vendimet që ka marrë Këshilli Drejtues nga momenti i zgjedhjes deri tani të anulohen. Këto vendime përfshijnë zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm, rektorit dhe Statutin e UP-së”, ka thënë Tasholli në aksionin para Rektoratit.

Në seancën gjyqësore që u mbajt para një muaji, askush nga UP-ja nuk mori pjesë. Në një letër që KOHA e ka siguruar, UP-ja i ka kërkuar gjykatës që seanca të shtyhet, me arsyetimin se gjenden në pushim deri në fund të gushtit.

“Pasi që Universiteti i Prishtinës ka pranuar ftesat e lartcekura për pjesëmarrjen në seancën e datës 14.8.2023, ora 11:00, ju njoftojmë se me vendimin e përgjithshëm të UP-së që mban nr.prot:1/772 datës 28.07.2023, e gjithë struktura e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” qëndron në pushim deri më 31.08.2023”, është thënë në letrën e tyre drejtuar gjykatës. “Shpresoj në mirëkuptimin tuaj dhe të palës paditëse, që kjo seancë të shtyhet nga fundi i muajit shtator e tutje”, thuhet në kërkesën që ka bërë Rektorati i UP-së.

Aktgjykimin e lëshuar nga gjykata, në Këshillin Drejtues të UP-së thanë se ende nuk e kanë marrë. Ky Këshill gjatë ditës së martë ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, të mbyllur për media.

E, Gjykata në vendim ka obliguar UP-në që të vlerësojë në mënyrë objektive pretendimet e paditësit në lidhje me lejueshmërinë e pjesëmarrjes në zgjedhjen e anëtarëve të KD-së.

“Në këtë drejtim organi i paditur obligohet të vlerësojë drejt dhe saktë kërkesën e palës paditëse krahas pretendimeve të tjera ankimore të palëve të tjera të interesit të cilat mund të paraqiten gjatë rizhvillimit të procedurës administrative dhe rivendosjen në lidhje me këtë çështje juridike”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Më tej gjykata ka obliguar UP-në që në afat prej 30 ditësh të marrë një vendim të ri.

“Në procesin e ri të procedurës të veprojë sipas vërejtjeve të dhëna në këtë aktgjykim dhe pasi t’i mënjanojë të metat e cekura të marrë vendim të drejtë të bazuar në ligj”, thuhet tutje në vendim.

Në zgjedhjet e qershorit, anëtarë të KD-së u zgjodhën Naser Kabashi, Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Rifat Krasniqi dhe Selim Bezeraj.

Zgjedhja e disa prej tyre ngjalli reagime në atë kohë në shoqërinë civile. Profesori i historisë në Fakultetin Filozofik, Selim Bezeraj, dyshohet për plagjiat të punimit shkencor dhe falsifikim të dokumentit të shtëpisë botuese gjermane “Zeitschrift für Balkanologie”. Bezeraj për t’u avancuar në pozitën e profesorit asistent e ka bashkangjitur në aplikacion punimin e tij shkencor me titull “Soziale Lage in Albanien Wahrend der Regierung des Prinzen Wilhelm Wied nach Deutchen Reisenden”, që, sipas Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim - ORCA-s, është identik me temën e diplomës së një personi me emrin Adam Christian, që e ka mbrojtur në Universitetin e Vjenës më 2010. Kurse anëtari tjetër Rifat Krasniqi është parë si person i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilën u publikuan edhe fotografi ku shihet krah për krah me kryetarin e kësaj partie, Albin Kurti.

Pas marrjes së detyrës në tetor të vitit 2022, anëtarët aktualë të KD-së shkarkuan Naser Sahitin nga pozita e rektorit, me arsyetimin se për dy vjet mandat nuk ka arritur të rrisë cilësinë e mësimdhënies dhe menaxhimit brenda UP-së. Në nëntor të po atij viti u zgjodh rektor Qerim Qerimi.