Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) është e pakënaqur me vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për shkarkimin e Naser Sahitit nga pozita e rektorit të UP-së. Sipas kësaj organizate, vendimi ka qenë i paqëndrueshëm, arsyet e dhëna për shkarkim nuk qëndrojnë dhe se vendimi ka “shkaktuar destabilitet në UP”.
Adea Kondirolli nga ORCA ka thënë se Sahiti u shkarkua në kohën kur Universiteti i Prishtinës është stabil. Ajo ka shtuar se Sahiti ka qenë duke e bërë punën në rregull dhe se “nuk ka pasur nevojë për këtë vendim”.
Kondirolli ka shprehur shqetësim mbi përbërjen e Këshillit Drejtues.
“Ne jemi të shqetësuar sepse ky KD ka përbërje të tmerrshme të anëtarëve. Një prej anëtarëve e kemi akuzuar për plagjiaturë, është ditur që profesori Selim Bezeraj ka pretendime për plagjiaturë në doktoratën e tij”, ka thënë Kondirolli në “60 Minuta” në KTV.
Ndërsa, ka theksuar se ORCA nuk e di nëse do të ankohet më në Këshill të Etikës për shkak të “vendimeve qesharake” që po merr.
“Nuk e dimë për shkak se prej dy rasteve të fundit kur kemi dërguar raste në Këshill të Etikës, dënimet janë qesharake, nuk po merren seriozisht as nga Këshilli i Etikës e as nga Senati i UP-së. Rektori ka qenë mbështetës deri në momentin e fundit i ka shpallë luftë (plagjiaturës), ka qenë i gatshëm të luftojë për cilësi në universitet dhe integritet akademik”, ka thënë ajo.
Sipas Kondirollit, anëtarët e KD-së po mbështesin plagjiaturën duke u bërë bashkë edhe në vendime, si ai për shkarkimin e rektorit.
“Po duket që anëtarët e KD janë bërë bashkë, të përbashkuar nga plagjiatura dhe grupet e interesit që ndoshta i përfaqësojnë dhe nuk po duket mirë. Nëse arsyet e tyre nuk qëndrojnë dhe nuk kanë arsye të tjera, atëherë vetëm po e mbrojnë plagjiatorin”, ka thënë Kondirolli.
Ajo ka lavdëruar punën e Sahitit në UP, duke thënë se universiteti në dy vjetët e fundit është përmirësuar sa i përket avancimeve meritore akademike.
“Në dy vitet e fundit ka pasur kulturë të avancimeve akademike që nuk ka pasur ndonjë rast që ka kaluar pa meritë. Në UP është shumë më vështirë, por shumë më meritore emërimi akademik sesa në çfarëdo universiteti publik apo privat në Kosovë”, ka shtuar ajo.