Arbëri

Sahiti: Këshilli Drejtues i UP-së lë shumë për të dëshiruar, po përgatit shkarkimin tim

Rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Naser Sahiti, ka thënë se Këshilli Drejtues i UP-së ka paraparë për të premten një mbledhje, ku mund të merret vendimi për shkarkimin e tij nga pozita e rektorit.

Sahiti ka thënë të enjten në një konferencë për media se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit pasi konsideron se është thirrur në mënyrë të jashtëligjshme.

“Nesër në Këshillin Drejtues është paraparë raportimi i menaxhmenti të lartë, ajo mbledhje është caktuar në kundërshtim me statutin. Ky rend i ditës nuk është dakorduar me ne, si e tillë kjo është jo ligjore. Ata e kanë kërkuar mbajtjen e rendin e ditës që len me kuptu që mund të jetë edhe marrja e vendimit për shkarkimin e rektorit”, ka thënë Sahiti.

Rektori ka shtuar se UP-ja nuk ka pasur kurrë një përbërje të Këshillit Drejtues siç e ka tani, dhe se kjo paraqet një nga problematikat më të vështira të UP-së deri tani.

“Përbërja e Këshillit Drejtues le shumë për të dëshiruar. Kurrë njëherë një përbërje të tillë s’kemi pasur, prandaj çështja është shumë më problematike se që ka pasur ndonjëherë UP-ja. Çështja e plagjiarizmit duhet të adresohet sepse ne kemi plane që këtë dukuri ta luftojmë në mënyrë sistematike. Ne nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë nëse ne kemi në hierarkinë më të lartë njerëz të cilët nuk e kanë pastruar vetë çështjen”, është shprehur Sahiti.

Anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së kanë iniciuar shkarkimin e rektorit të UP-së, Naser Sahiti.

Lidhur me këtë veprim kanë reaguar të mërkurën 19 organizata të shoqërisë civile të cilat janë deklaruar se denoncojmë çdo tentativë të shkarkimit të zyrtarëve të institucioneve të arsimit të lartë pa u bazuar në gjetje reale të keqpërdorimeve të mundshme të tyre.

“Ndërkohë që jemi dëshmitarë se asnjë skandal nuk është raportuar që nga zgjedhja e prof. dr. Naser Sahitit në pozitën e rektorit. Përkundrazi, organizatat monitoruese të arsimit të lartë para pak kohësh kanë theksuar avancimin e transparencës në Universitetin e Prishtinës gjatë mandatit të tij. Po ashtu, organizatat monitoruese të UP-së kanë raportuar se në proceset e ndjeshme, si ato të avancimeve akademike, ka pasur meritokraci. Ne, organizatat e poshtëshënuara, e denoncojmë çdo tentativë të shkarkimit të zyrtarëve të institucioneve të arsimit të lartë pa u bazuar në gjetje reale të keqpërdorimeve të mundshme të tyre, si dhe pa e bërë të qartë se cilat janë ndryshimet që planifikohen të ndodhin”, thuhet në një reagim të tyre.