Analisti Arbnor Sadiku ka vlerësuar se ftesa e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti drejtuar partive opozitare për takime të radhës për çështjen e presidentit është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kurti gjatë ditës së sotme ftoi sërish partitë opozitare për takim për të diskutuar për presidentin. PDK-ja e LDK-ja iu përgjigjen ftesës pozitivisht, por kanë thënë se fillimisht duhet pritur verdiktin e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuesja aktualisht po shqyrton dekretin për shpërndarjen e Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE analisti Sadiku ka thënë se partitë do duhej të qëndronin të heshtura deri në vendimin e Kushtetueses.
“Është gabim, si nga pikëpamja politike ashtu edhe juridike. Të gjithë aktorët, përfshirë Kurtin dhe liderët e opozitës, duhet të ishin të heshtur derisa të përfundojë shqyrtimi nga ana e Kushtetueses”, ka thënë Sadiku në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas tij, opozita ka dhënë një përgjigje të pritshme dhe nuk mund të negociohet në këtë fazë, kur vendimi final nuk është i njohur.
Sadiku theksoi se mund të ketë dy skenarë nga Kushtetuesja, ose të konfirmohet afati prej 30 ditësh dhe të vendoset më pas për shpërndarjen e Kuvendit, ose të jepet një afat shtesë për negociata midis partive politike.
“Fryma dhe qëllimi politik është që vendi të shkojë në zgjedhje, por problemet politike zgjidhen vetëm me marrëveshje politike”, shtoi ai.
Sipas Sadikut, qëndrimet e opozitës, që pranuan të takohen me Kurtin pas vendimit të Kushtetueses, janë kryesisht për të shmangur fajin për zgjedhjet e ardhshme.
“Ky është një ping-pong politik ku të gjithë përpiqen të shmangin përgjegjësinë për shkuarjen në zgjedhje, sesa të tregojnë gatishmërinë për marrëveshje”, përfundoi Sadiku.
Kushtetuesja e ka marrë në shqyrtim një ankesë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit pas dështimit që të zgjedhë presidentin e ri deri më 5 mars. Kushtetuesja ka pezulluar punën e Kuvendit dhe çdo veprim të Osmanit në drejtim të zgjedhjeve të reja deri më 31 mars.
Kurti kishte takuar para 5 marsit disa herë liderët e PDK-së dhe LDK-së por nuk ishte arritur dakordimi për kandidat konsensual për president. Në fund, VV-ja propozoi Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mullhaxhën, por në seancën e ftuar nuk pati kuorum dhe nuk nisi votimi për president.