Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se do t’i thërrasë në takim përsëri liderët e partive opozitare për çështjen e presidentit. E kryeparlamentarja Haxhiu ka thënë se “është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”. Derisa Kosova i ka edhe 29 ditë kohë për t’i shmangur zgjedhjet, partitë opozitare kanë thënë se janë në pritje të ftesave nga LVV-ja
Kosova nuk i ka tri ditë, por rreth 30 për zgjedhjen e presidentit ka thënë kryeministri Albin Kurti, në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, të hënën.
Pesë ditë pasi Kushtetuesja vendosi ta rrëzojë dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, partitë nuk kanë dhënë shenja të nisjes së diskutimeve mes tyre.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryeministri Kurti, që është edhe kryetar i Vetëvendosjes, ka thënë se do të zhvillojë konsultime të brendshme para se t’i kontaktojë kryetarët e partive të tjera.
“Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nëse nuk jam gabim kemi kohë deri më datën 28 prill që do të thotë se kemi 30 ditë, pra nuk janë 3 ditë janë 30, por do të përpiqemi që sa më parë të bëjmë sa më shumë, por mua më nevojiten konsultime të brendshme dhe ajo që dihet është që pas këtyre konsultimeve të brendshme që do t’i zhvilloj, menjëherë do të dërgoj ftesa për takim me kryetarët partive opozitare…Po e ritheksoj nuk besoj që është mirë të jemi veç 80 apo 81, është mirë të jemi rreth 85, 84 deri në 86 që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim presidentin aty dhe për këtë do të bëjë edhe ftesa, do të zhvilloj edhe takime, por çfarë ofertash dhe kërkesash do të ketë në ato takime duhet pritur që të ndodhin ato takime”, ka thënë Kurti.
E kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se seanca për zgjedhjen e presidentit nuk është përmbyllur, por vetëm është ndërprerë dhe do të vazhdojë sapo të plotësohen kushtet.
Ajo ka thënë se pret që të ketë takime dhe përpjekje nga subjektet politike për të arritur një zgjidhje.
“Është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sepse kemi humbur shumë dhe kemi shumë punë për të bërë”, është shprehur ajo.
E partitë opozitare kanë sugjeruar se partia në pushtet është ajo që sjell kriza dhe e do krejt pushtetin për vete, tek kanë dhënë përgjigje të ndryshme se si do t’u përgjigjeshin ftesave të Kurtit për takime.
Nga PDK-ja kanë thënë se do të flasin pasi të pranojnë ftesën.
“Kosova është pa institucione të konsoliduara dhe pa president, jo për shkak të mungesës së ditëve dhe afateve kohore, por për shkak të mungesës së vullnetit politik të Lëvizjes Vetëvendosjes. Nuk kemi pranuar asnjë kërkesë, por do ta shohim edhe formën edhe përmbajtjen e pastaj do të flasim”, ka thënë deputetja nga PDK-ja, Vlora Çitaku.
Nga LDK-ja kanë thënë se janë të gatshëm të shkojnë edhe në zgjedhje nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje.
“Ne do ta japim kontributin tonë për aq sa është përgjegjësia jonë, por duhet mos të harrojmë se përgjegjësinë kryesore e bart partia më e madhe me numrin më të madh të deputetëve dhe pa të cilën nuk mund të zgjidhet presidenti. Prandaj nëse vullneti i tyre është që të ketë në zgjidhje, do të kemi, nëse jo – Kosovës do t’i mbetet të shkojë drejt zgjedhjeve, për çka LDK-ja është e gatshme dhe e bashkuar”, ka deklaruar deputetja Jehona Lushaku.
E nga AAK-ja nuk besojnë se në partinë fituese ka vullnet për të gjetur zgjidhje.
“Ju e shihni vetë që kjo është metodë pune, një procedurë standarde që ky formacion politik që po e udhëheq Kosovën e ka: me i zhagitë punët dhe në fund me ardhë në njëfarë procesi kishe (v.j bën sikur) po diskutojmë për një president unifikues, prapë do të ndodhë e njëjta. Prapë do të vazhdojë avazi i njëjtë. Krejt vajtojnë e bërtasin qysh me e zgjedh presidentin –asnjë veprim i shumicës, asnjë zë s’i dëgjohet as kryeministrit, as Qeverisë”, ka theksuar deputeti Besnik Tahiri.
E shefja e Grupit Parlamentar LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se zgjedhja e presidentit është urgjencë, pasi Vjosa Osmanit i mbaron mandati më 4 prill.
"Për çështjen e presidentit, Kurti ka bërë të ditur se do të vazhdojë diskutimet me krerët e partive opozitare, në këtë rast me të PDK-së dhe LDK-së. Ne presim që të ketë një marrëveshje dhe të arrijmë të zgjedhim presidentin, duke pasur parasysh që janë të panevojshme dhe të padrejta edhe një palë zgjedhje të reja. Nëse nevojitet një rrugë tjetër në raport me një konsensus që mund të arrihet në ndërkohë, është një temë që duhet të shqyrtohet pas propozimeve apo diskutimeve konkrete që mund të kemi në këtë temë", ka thënë Nagavci.
Takime të tilla mes Kurtit dhe opozitës ishin paralajmëruar edhe para seancës së 5 marsit, kur Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin për shkak të mungesës së kuorumit. Madje, kryeministri pati dërguar ftesa për takim edhe gjatë kohës kur çështja ishte në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, liderët e partive opozitare kishin refuzuar të takoheshin në atë fazë, duke theksuar se preferonin të prisnin vendimin e Kushtetueses përpara se të hynin në bisedime politike.
Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese pasi presidentja Vjosa Osmani kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një ditë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit. Gjykata vlerësoi se ky dekret nuk ka prodhuar efekt juridik.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin. Për këtë proces nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota.
Partitë opozitare kanë theksuar se përgjegjësia kryesore për sigurimin e shumicës bie mbi partinë në pushtet, ndërsa kanë kërkuar marrëveshje politike për tejkalimin e situatës.
Presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet deri më 28 prill, përndryshe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i përfundon mandati më 4 prill.