Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka anuluar tenderin 6.8 milionë euro për sigurimin fizik, duke u thirrur në rritjen e pagës minimale në 425 euro bruto dhe ndryshimin e rrethanave financiare. Ndërsa, një operatorë ekonomik që ka dorëzuar ankesë pretendon se ishte shpallur fitues, edhe pse nuk ishte dërguar njoftimi për dhënie kontrate, duke e cilësuar anulimin si të bërë në mënyrë arbitrare
Rritja e pagës minimale nga Qeveria e Kosovës, e cila nga 1 janari është caktuar në 425 euro bruto, është dhënë si arsye për anulimin e tenderit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për sigurimin fizik.
Ky tender kishte qenë i hapur për 15 muaj dhe në dosjen e tenderit paga bazë ishte e paraparë 402 euro bruto. Për këtë kontratë ishin ndarë 6.8 milionë euro për 36 muaj, në rast se do të shpallej një operator fitues.
Pas anulimit të aktivitetit të prokurimit, operatori ekonomik “S.I.G. sh.p.k.”, i cili kishte marrë pjesë në tender, ka dorëzuar ankesë, duke pretenduar se anulimi është bërë në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik
“Konsiderojmë që një vendim i Qeverisë për rritjen e pagës minimale nuk duhet të jetë arsye për anulimin e aktivitetit të prokurimit, pasi që LPP-ja dhe Rregullorja për Prokurim Publik nuk e përcaktojnë një gjë të tillë. Ne kemi aplikuar sipas dosjes së tenderit, me pagë 402 euro bruto, duke kalkuluar të gjitha obligimet që burojnë nga Ligji i Punës dhe ATK-ja. AK-ja është e obliguar të gjejë zgjidhje për OE-të konform LPP-së dhe Rregullores për Prokurim Publik. Nuk mund të anulohet një aktivitet prokurimi për kritere që nuk janë paraparë në dosjen e tenderit dhe në Njoftimin për Kontratë”, thuhet në ankesën e kompanisë “S.I.G.”
E sipas QKUK-së, anulimi i këtij tenderi është mbështetur në nenin 62 te LPP-së.
Në këtë institucion thonë se vendimi i Qeverisë përbën ngjarje objektive të paparashikueshme.
“Duke marrë parasysh faktin se ka ndryshim substancial të rrethanave, vazhdimi i këtij aktiviteti të prokurimit ka qenë i pamundur, pasi që ndryshimi në kalkulimin e pagave është i madh dhe analizat financiare të ofertave për pagën bazë, duke përfshirë të gjitha obligimet ligjore, nuk kanë qenë të sakta. Në mungesë të bazës ligjore për ta rregulluar çmimin e ofertës, AK-QKUK ka qenë e detyruar ta anulojë aktivitetin e prokurimit”, ka sqaruar QKUK-ja.
Sipas nenit 62 të LPP-së, një aktivitet prokurimi mund të anulohet vetëm nëse ofertat e përgjegjshme përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues, ose nëse ndërprerja bëhet e nevojshme për shkak të ngjarjeve objektive jashtë kontrollit të tij.
Në këtë tender kanë ofertuar pesë operatorë ekonomikë.
Vlera më e ulët e ofertuar ka qenë 6.5 milionë euro, ndërsa më e larta 6.7 milionë euro. Pra asnjë nga operatorët nuk e ka tejkaluar vlerën e paraparë në dosjen e tenderit.
Në ankesën e saj, kompania “S.I.G.” ka theksuar se nga QKUK-ja u janë kërkuar të gjitha dokumentet shtesë, gjë që sipas tyre, ndodh vetëm kur një operator shpallet fitues.
“Të gjithë dokumentacionin e shkëmbyer ndërmjet AK-së dhe konzorciumit tonë i keni në e-prokurim te dokumentet-Letrat Standarde. Pra kjo është një dëshmi që ne si Grup i Operatorëve Ekonomik jemi të përgjegjshëm dhe sipas LPP-së jemi shpallur fitues edhe pse Njoftimin Mbi Vendim Autoriteti Kontraktues nuk e ka dërguar. Dokumentet e tilla pra Vërtetimet e ATK-së, Certifikatat e Gjykatës dhe Sigurimi Origjinal kërkohet për OE të cilit synohet dhënia e kontratës”.
QKUK-ja ka bërë të ditur se pas anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit dhe ankesave të dorëzuara në Organin Shqyrtues të Prokurimit ka hapur një tender emergjent me vlerë 1 milion euro, me kohëzgjatje 5 muaj.
Operatori S.I.G. edhe gjatë muajve të verës së vitit të kaluar ka pasur kontratë me QKUK-në, e cila ka përfunduar. Kjo kontratë ishte lidhur pasi kontrata paraprake kishte skaduar dhe QKUK-ja kishte mbetur pa sigurim fizik.
Për një muaj, sigurimin e klinikave të QKUK-së e kanë kryer 33 policë, angazhim që i ka kushtuar QKUK-së rreth 31 mijë e 680 euro.
Në Policinë e Kosovës, nëpërmjet një përgjigje për KOHËN, kanë thënë se marrëveshja për sigurimin e Klinikës Emergjente të QKUK-së është ende valide.