LAJMET E MBRËMJES

QKUK-ja e SHSKUK-ja nuk marrin përgjegjësi për moskontraktimin e shërbimit për sigurim fizik

Prej tri javë, punëtorët që kanë bërë sigurimin fizik në QKUK kanë mbetur pa punë, shkaku i anulimit të një tenderi. Të premten ata kanë hyrë në grevë, e QKUK-ja dhe as SHSKUK-ja nuk kanë treguar se si do t’i jepet zgjidhje situatës së krijuar

Rreth 280 punëtorë që siguruan objektet e Qendrës Klinike Universitare deri para tri javësh, kanë hyrë në grevë pas anulimit të tenderit për shërbimet e sigurimit fizik të objekteve të kësaj qendre.

Dy javë më parë, QKUK-ja e anuloi tenderin pas dyshimeve për favorizim të kompanive të caktuara dhe paralajmëroi se ky proces prokurimi do t’i kalojë Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.

Por, dy javë më pas, asnjëri prej institucioneve nuk ka ofruar zgjidhje për punëtorët, shumë nga të cilët ishin të punësuar në QKUK, por kaluan në kompani private pas vendimit që shërbimi të privatizohet.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, akuzoi institucionet për shmangie nga përgjegjësia.

“Deri dje në ora 14:00 kemi komunikuar. Përderisa më herët na është thënë edhe nga drejtori i QKUK-së që kjo procedurë mund zgjatë tri ditë, afat që ka qenë para dhjetë dite, dje na është thënë që nuk guxon me e marrë përgjegjësinë as drejtori i QKUK-së e as drejtori i SHSKUK-së dhe jemi këtu ku jemi”, ka bërë të ditur Azemi.

Një nga grevistët është ankuar se për mungesë të ardhurash dhe për situatën ka akuzuar edhe zyrtarët qeveritarë.

“Punëtorët e sigurimit i kanë qit në rrugë. Punëtori më i vjetri në QKUK, prej 85 jam. Kurrë nuk ka ndodhur kështu. Këtu i ka fajet Kurti, Vitia edhe qekjo QKUK”, ka thënë ai.  

E përfaqësuesi i Shoqatës së Sigurimit Fizik, Hakif Sylejmani, ka listuar kërkesat e grevistëve.

“Të kthehemi në vendin e punës, të nguten procedurat dhe të mos na zhagiten, se ne jemi në halle shumë të mëdha si punëtor në QKUK... Ne do të vazhdojmë derisa prej Drejtorisë së Përgjithshme të kemi një sinjal se me këtë datë keni me nënshkruar kontratë, me u kthye në vendet e punës”, ka thënë Sylejmani.

Lidhur me këtë situatë, KOHA ka adresuar pyetje në QKUK dhe në SHSKUK, por asnjëri prej institucioneve nuk ka ofruar përgjigje.

Pas anulimit të tenderit, siguria në objektet e QKUK-së është duke u kryer nga Policia.

Punëtorët kanë mbetur pa punë pasi më 22 maj, OSHP-ja mori vendim që QKUK-ja të shfuqizojë kontratën gjashtëmujore për sigurim fizik, që ishte nënshkruar me negocim në muajin mars.

Sipas OSHP-së, tenderi i ishte dhënë një kompanie me ofertë 1 milion e 54 mijë euro, katër mijë euro më shumë se vlera që QKUK-ja e kishte të planifikuar. OSHP-ja ka aprovuar si të bazuara pretendimet e Operatorëve Ekonomikë ankues se kompania fituese ka ulur çmimin për 300 mijë euro pas negociatave, duke dalë si kompania me çmimin më të ulët.