LAJMET E MBRËMJES

Punëtorët që siguruan QKUK-në paralajmërojnë radikalizim të veprimeve sindikale

Pas anulimit të tenderit, për shërbimet e sigurimit fizik të objekteve të QKUK-së, punëtorët e angazhuar deri tash kanë paralajmëruar grevë që nga e premtja. Ata kanë vendosur për radikalizim të masave sindikale, meqë menaxhmenti i QKUK-së nuk e gjeti një zgjidhje të shpejtë

Rreth 280 punëtorë kanë paralajmëruar grevë që nga e premtja, pasi Qendra Klinike Universitare e ka anuluar tenderin për shërbimet e sigurimit fizik të objekteve të kësaj qendre.

Punëtorët kanë qenë të kontraktuar nga kompania “Skyfterat”, që e ka kryer shërbimin në QKUK.

Shumë nga ta ishin të punësuar në QKUK, por kaluan në kompani pas vendimit që shërbimi të privatizohet.

Meqë Organi Shqyrtues i Prokurimit gjeti shkelje në tender, ai u anulua dhe QKUK-ja ka vendosur që këtë shërbim të mos e kontraktojë vetë, por Shërbimi Spitalor Klinik Universitar.

Përfaqësues sindikalë kanë thënë se një zgjidhje nuk u arrit as në takimin që është realizuar të enjten me menaxhmentin e QKUK-së.

“Kemi biseduar me KRPP-në, ku thonë se nuk është topi te ne, me OSHP-në kanë thënë nuk është topi te ne, është thënë se është te drejtori i QKUK-së. Ky po thotë tani nuk është problem i imi, dhe është bartur te SHSKUK-ja. SHSKUK-ja me dashtë me pas vullnetin e mirë, mos me pasë bindje për cilën kompani me votu, mund ta zgjidhë problemin që të hënën ta fillojnë punën”, ka thënë Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat.

Dy javë më parë KOHA ka raportuar për dyshimet për favorizim të operatorëve të caktuar që lidhen me këtë tender.

Azemi ka thënë se çështja tani është duke u hetuar nga Krimet Ekonomike.

“Krimet ekonomike dyshojnë se ka keqpërdorime dhe e kanë parë të arsyeshme ta shqyrtojnë këtë tender dhe do të marrin vendim përfundimtar nëse është keqpërdorur, apo jo”, ka thënë Azemi.

E, kryetari i Shoqatës së Punonjësve që kanë qenë të angazhuar në sigurimin fizik të objekteve të QKUK-së, Hakif Sylejmani, ka paralajmëruar radikalizim masash pas një numri protestash që janë bërë.

“Edhe ne jemi të pajtimit që me të gjithë punëtorët të mbajmë grevë derisa të na kthehet një dokument pozitiv që punëtorët ta fillojnë punën”, ka deklaruar Sylejmani.

Në lidhje me çështjen e tenderit për shërbimet e sigurimit fizik, KOHA ka adresuar pyetje në SHSKUK, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Punëtorët që kanë paralajmëruar grevë kanë protestuar javën e shkuar dhe në mesin e kërkesave e kanë adresuar edhe atë për lidhjen e kontratave me QKUK-në dhe jo me kompani private.