Janë ngritur dyshime edhe në tenderin e ri për shërbimin e sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare. Një nga kompanitë i ka kontestuar dy kritere të vëna nga ky institucion. Por punëtorët që kanë bërë greva dhe protesta prej se kontrata u është rrëzuar nga “gjykata e tenderëve”, e kanë shprehur pritjen që procesi të përmbyllet sa më shpejt
Ka përfunduar afati për dorëzimin e ofertave në tenderin e ri me negocim për shërbimet e sigurimit fizik të objekteve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Edhe në këtë tender, sikurse një muaj më parë, QKUK-ja e ka vendosur pragun minimal për ofertim, i cili nuk duhet të jetë nën shumën 1,138,507 euro.
“Çdo tender i pranuar nën këtë prag (vlerë), nga Autoriteti Kontraktues do të konsiderohet si tender me çmim abnormalisht të ulët dhe do të refuzohet oferta… Nëse operatorët ekonomikë ofertojnë me çmim të njëjtë, përparësi do t’i jepet operatorit i cili e ka dorëzuar ofertën i pari”, thuhet në dosjen e tenderit.
Burime të KOHËS kanë thënë se këto kritere kanë shërbyer si arsye që një nga operatorët ekonomikë ta kërkojë monitorimin e procesit nga Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik, për shkak të dyshimeve për këtë tender.
“I bie se secila vlerë tjetër është e papërgjegjshme dhe deri në këtë kohë janë dorëzuar 3 oferta, që i bie se ne kot i dorëzojmë, pasi që i pari e ka zënë këtë vlerë, gjë që lë për të kuptuar se ka manipulim dhe nuk është kriter i matshëm, por manipulues dhe nuk garanton garë të drejtë, se nuk ka mundësi që pa u bërë 1 orë, të dorëzohen kaq shumë oferta”, thuhet në ankesën e operatorit ekonomik.
E në Zyrën e Drejtorit të QKUK-së kanë thënë se kërkesat do të trajtohen dhe do të monitorohen sipas Rregullores për Prokurim Publik.
“QKUK-ja i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik dhe në harmoni me situatën e krijuar aktualisht”, kanë thënë në zyrën e drejtorit të QKUK-së.
E dorëzimin e ofertave për tenderin e ri e ka mirëpriti kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Sektorin Privat, Jusuf Azemi. Ai ka thënë se të martën pritet që rreth 280 punëtorë ta rifillojnë punën, pas shumë ditësh protesta dhe greva.
“Ne, as atëherë, as tash, nuk na intereson se kush e merr. Ne na ka interesuar që procesi të shkojë shumë më shpejt se që ka ardhur deri këtu”, ka thënë Azemi.
Tenderi i parë është pezulluar në qershor, pas dy ankesave të dorëzuara nga operatorë ekonomikë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Dy kompani patën pretenduar se Zyra e Prokurimit në QKUK ka përdorur kritere diskriminuese dhe favorizuese.
Hakif Sylejmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sigurimit në QKUK, ka theksuar që në rast se përsëriten probleme të njëjta, atëherë punëtorët do të ndërmarrin masa të tjera sindikale.
“Ne edhe qysh e kemi bërë lajmërimin dje, nëse s’merret ndonjë vendim, ne të gjithë punëtorët të martën do ta bllokojmë hyrjen e Administratës, pra, jemi të gatshëm për këtë”, ka thënë ai.
Pas anulimit të tenderit, siguria në objektet e QKUK-së është duke u kryer nga Policia. Anulimi i tenderit me procedurë të negociuar nga QKUK-ja më 27 qershor është bërë pas ankesave të operatorëve ekonomikë në OSHP dhe pas dyshimeve për favorizim të kompanive të caktuara nga zyra e prokurimit e QKUK-së.
Punëtorët kanë mbetur pa punë, pasi që më 22 maj, OSHP-ja ka marrë vendim që QKUK-ja ta shfuqizojë kontratën gjashtëmujore për sigurim fizik, e cila u pat nënshkruar me negocim në muajin mars.