Ka dështuar që të finalizohet edhe tenderi i ri për shërbimet e sigurimit fizik të objekteve të Qendrës Klinike Universitare (QKUK). Aktiviteti i prokurimit ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pas dyshimeve për favorizim të operatorëve të caktuar
Qendra Klinike Universitare (QKUK) nuk ka arritur që ta finalizojë tenderin për sigurim fizik të objekteve, të cilin e ka paralajmëruar në fillim të javës.
Tenderi i hapur dy ditë më parë me procedurë të negociuar, është pezulluar pas dy ankesave të dorëzuara nga operatorë ekonomikë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Të dyja kompanitë kanë pretenduar se Zyra e Prokurimit në QKUK ka përdorur kritere diskriminuese dhe favorizuese.
Në dosjen e tenderit, kriter për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët. Ndërkaq operatorët ekonomikë janë ankuar se QKUK-ja e ka caktuar pragun minimal për ofertim, duke theksuar se ofertat nën këtë vlerë do të refuzohen si jonormalisht të ulëta.
Kjo, sipas palëve ankuese, i shmang procedurat konkurruese dhe përzgjedhjen transparente të kompanive.
“Theksimi i vlerës së ‘pragut’ në shumë prej 1,138.507.29 eurosh është joligjore dhe juridikisht e palejueshme t’u tregohet operatorëve ekonomikë vlera e cekur. Treguesi i vlerës së çmimit të pragut joligjor në aktivitetet e prokurimit është një sinjal i qartë që mund të përdoret si indikator për keqpërdorim, manipulim të tenderëve ose shmangie të qëllimshme të procedurave konkurruese”, thuhet në ankesën e operatorit ekonomik “International Security AAH SH.P.”.
Në dosjen e tenderit është theksuar që në rast se kompanitë ofertojnë me çmim të njëjtë, do t’i jepet përparësi operatorit ekonomik i cili ka ofertuar i pari.
“Nëse OE ofertojnë me çmim të njëjtë, përparësi do t’i jepet OE, i cili e ka dorëzuar ofertën i pari, ashti siç parashihet me rregulloren nr. 002/2024 për prokurim publik”, thuhet në dosje të tenderit.
E, kompania tjetër ankuese, “Rojet e Nderit”, ka hedhur dyshime për kohën e ofertimit nga kompani të tjera, të cilat i kanë dorëzuar ofertat brenda 30 minutash pas hapjes së ofertës.
Burime të KOHËS kanë thënë se dy nga ofertat janë dorëzuar brenda gjashtë dhe dhjetë minutash. Sipas burimeve, kjo ka qenë një prej arsyeve që ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së të kërkojë që procesi i prokurimit të anulohet.
Në QKUK kanë thënë se procesi do të kalohet në zyrën e prokurimit, në kuadër të Shërbimit Klinik e Universitar (SHSKUK).
“U.d. drejtori i QKUK-së ka kërkuar nga drejtori i SHSKUK-së, që tash e tutje procedurat e sigurimit fizik të objekteve të udhëhiqen nga Divizioni i Prokurimit në SHSKUK. Aktualisht, sipas marrëveshjeve me Policinë e Kosovës, për punë sekondare, objektet në QKUK sigurohen nga policë të Policisë së Kosovës”, kanë thënë për KOHËN në QKUK.
E përfaqësues të Sindikatës së punëtorëve të sigurimit fizik në QKUK janë shprehur se të hënën do të mbajnë protestë prej orës 11:00, pasi që prej fillimit të javës rreth 280 punëtorë kanë mbetur pa kontratë.
Ata të martën kanë mbajtur takim me ushtruesin e detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, porse pa ndonjë rezultat. E, pas përfundimit të takimit, u.d. i drejtorit të QKUK-së pati thënë se shkaku i situatës së krijuar, përgjegjësinë për sigurinë në QKUK përkohësisht do ta mbulojë Policia e Kosovës.