Arbëri

Angazhimi i Policisë për ta siguruar QKUK-në kushtoi 31,680 euro

33 policë janë angazhuar për sigurimin e objekteve të QKUK-së, pas dështimit të tenderëve për kontraktimin e këtij shërbimi. Kostoja mujore për këtë angazhim kap vlerën mbi 31 mijë euro. E, në SHSKUK bënë të ditur se QKUK-ja ka nisur procedurën për lidhje të kontratës së re

Rreth 31 mijë e 680 euro i ka kushtuar për një muaj Qendrës Klinike Universitare angazhimi i 33 policëve për sigurimin e objekteve të saj, pas dështimit të tenderëve për kontraktimin e këtij shërbimi.

Burime në QKUK thanë se një orë pune e një polici është paguar rreth 4 euro, për një angazhim prej 8 orësh në ditë.

Sipas të dhënave që i ka siguruar KOHA, 13 objekte në oborrin e QKUK-së janë të siguruara nga numër i ndryshëm i zyrtarëve policorë. 

Në pesë objekte të klinikave, përfshirë edhe administratën e QKUK-së janë të angazhuar nga 3 policë brenda 24 orëve, katër policë janë të angazhuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, e nga dy në shtatë klinika të tjera.

Pavarësisht kësaj, prania e policëve nuk u pa gjatë mesditës të së enjtes në disa nga klinikat, si në atë të Pediatrisë, Ortopedisë, Psikiatrisë e Internos.

Angazhimi i zyrtarëve policorë është bërë përmes marrëveshjes së QKUK-së me Policinë, deri në gjetjen e një zgjidhje për lidhjen e një kontrate për sigurim fizik.

Për shkak të parregullsive, OShP-ja e ka obliguar QKUK-në që të shkëpusë kontratën gjashtëmujore, duke lënë pa punë që nga 24 qershori rreth 280 punëtorë.

Ata që nga 11 korriku kanë hyrë në grevë e institucionet nuk u kanë gjetur zgjidhje.

“Me takimin e së premtes që kemi qenë së bashku me Jusuf Azemin, me ministrin, është marrë një vendim që kjo punë me përfundu të hënën, e marta me qenë e fundit. Po edhe kjo javë na kaloi, edhe e hëna e edhe e marta pa asnjë nënshkrim të një kontrate diçka”, ka thënë Hakif Sylejmani, përfaqësues i Shoqatës së Sigurimit Fizik.

E Xhemajl Bajrami, që punoi prej më shumë se dy dekadash në QKUK, është ankuar për mungesë të ardhurash si pasojë e situatës së krijuar.

“Më ka thirrë banka, ajo nuk po na e shtyn, nuk na jep afat, asaj nuk i intereson ti a punon a s’punon – e ke marrë kreditin, duhet me e pagu. Shembull te përmbaruesi, edhe më keq. E këtu nuk është duke u marrë kërkush absolutisht me neve. Na kanë lënë shumë keq”, është ankuar ai. “I kem të ardhurat veç nga këtu shumica e njerëzve”.

Anulimi i tenderit me procedurë të negociuar nga QKUK-ja u bë pas ankesave të operatorëve ekonomikë në OSHP dhe pas dyshimeve për favorizim të kompanive të caktuara nga zyra e prokurimit e QKUK-së. 

Pas kësaj, Drejtoria e QKUK-së më 27 qershor i kërkoi SHSKUK-së që procesi të kalojë në Zyrën e Prokurimit të këtij institucioni. 

Por, prej atëherë, asnjëra prej institucioneve nuk ka iniciuar aktivitet të ri të prokurimit. 

Burime të KOHËS thanë se drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, i ka ofruar përgjigje refuzuese atij të QKUK-së, Osman Hajdari, tek para pesë ditësh, me arsyetimin e pamundësisë ligjore e teknike.

Edhe SHSKUK-ja ka konfirmuar informatën.

“Ka pasur një kërkesë nga menaxhmenti i QKUK-së për zhvillim të procedurës së prokurimit nga ShSKUK-ja, por pas analizës së kërkesës, është vlerësuar se QKUK si autoritet kontraktues duhet të zhvillojë vetë këtë procedurë, përmes sektorit të prokurimit në QKUK. Me sa jemi të informuar, QKUK-ja ka nisur procedurë të re për lidhje të kontratës së re dhe pritet të bëhet zgjidhje përmes lidhjes së kontratës së re”, thuhet në një përgjigje të SHSKUK-së.

Përfaqësues të Sindikatës së punëtorëve të sigurimit fizik thanë se një zgjidhje e shpejtë është premtuar së fundmi edhe nga ministri në detyrë, Arben Vitia, por në lidhje me këtë angazhim nuk dhanë informacione në Ministrinë e Shëndetësisë.