Hakif Sylejmani nga Sindikata e punëtorëve të sigurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka thënë se do të presin deri në fund të javës së ardhshme e në rast se nuk ka zgjidhje do t’i radikalizojnë veprimet.
280 punëtorët e sigurimit në QKUK nga sot janë futur në grevë pasi kanë mbetur pa punë.
“Do ta presim edhe javën tjetër grevë të qetë. Nëse s’ka zgjidhje, do të marrim vendime të tjera. Nuk do ta lëmë me hy në administratë asnjërin drejtor. Mos të punojë kabineti i QKUK-së pa na bo zgjidhje neve”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Sylejmani tutje bëri të ditur se kanë bërë kërkesë para pesë ditësh edhe te ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, por s’kanë marrë përgjigje.
Kryesindikalisti paralajmëroi se punëtorët janë në gjendje të rëndë, sidomos pasi nuk dihet se a do të marrin rroga.
“Është shumë e vështirë për punëtorët. Mbajnë familje me 4-5 fëmijë. Është tmerr. Jemi shumë të mllefosur”, shtoi ai.
Punëtorët e sigurimit kanë mbetur pa punë pasi dy javë më parë, QKUK-ja e anuloi tenderin pas dyshimeve për favorizim të kompanive të caktuara dhe paralajmëroi se ky proces prokurimi do t’i kalojë Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.
Por, dy javë më pas, asnjëri prej institucioneve nuk ka ofruar zgjidhje për punëtorët, shumë nga të cilët ishin të punësuar në QKUK, por kaluan në kompani private pas vendimit që shërbimi të privatizohet.