Arbëri

Rritet fluksi i hyrjeve në Kosovë. Mërgimtarët vijnë për “arsye të dyfishtë”

Mbi 374 mijë persona kanë hyrë në Kosovë gjatë shtatë ditëve të fundit nëpërmjet rrugëve tokësore dhe atyre ajrore. Këto të dhëna të Policisë së Kosovës kanë treguar për fluks më të shtuar këtë dhjetor, krahasuar me periudhën e njëjtë një vit më parë. E pjesëtarë të diasporës që kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt Kosovës nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, kanë thënë se sivjet kanë arsye të dyfishtë për ta vizituar vendin

Fluks më i shtuar i personave që kanë hyrë në Kosovë është evidentuar nga mesi i dhjetorit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kanë treguar të dhënat e Policisë së Kosovës.

Bazuar në të dhënat në Sistemin e Menaxhimit të Integruar, vetëm për një javë – nga 15 deri më 21 dhjetor – në Kosovë kanë hyrë 374 mijë e 864 persona, duke përdorur rrugët tokësore si dhe ato ajrore.

Fluksi më i madh i hyrjeve, gjithsej 213 mijë e 751, është shënuar më 19, 20 dhe 21 dhjetor. Vetëm të dielën e 22 dhjetorit, në Kosovë kanë hyrë 93 mijë e 458 persona, shifër kjo më e larta gjatë dhjetorit. E në të njëjtën periudhë një vit më parë u patën regjistruar 312 mijë e 456 hyrje, teksa dalje 256 mijë e 8 persona.

Përveç sezonit të verës, fluksi më i madh i hyrjeve drejt Kosovës nga pjesëtarët e mërgatës shënohet gjatë festave të fundvitit, në të cilën periudhë sivjet do të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Disa prej mërgimtarëve që të enjten e kanë zgjedhur aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” për të mbërritur në Kosovë, kanë thënë se arsyeja kryesore e vizitës së tyre është ajo për të qenë bashkë me familjarët për festat. Por ata kanë shtuar se këtë rast do ta shfrytëzojnë edhe për ta ushtruar të drejtën për të votuar më 28 dhjetor.  

“Po do të votojmë më 28, pa çare do të votojmë”, ka thënë njëri prej mërgimtarëve që jeton në Gjermani e që ka ardhur për ta vizituar familjen në Prizren.

“Vijmë shpesh, por tash për festat fundvitit më shumë. Dhe po, kësmet edhe për të votuar”, ka thënë mërgimtari Faton Dakaj.

Një pjesë e mërgimtarëve u kanë drejtuar edhe kërkesa përfaqësuesve të partive politike për t’u angazhuar më shumë për diasporën dhe për zhvillim të brendshëm ekonomik.

“Besoj për të ardhmen politike që vjen. Unë si e shoh tash, shpesh, si për shembull, e kemi humbur një gjeneratë, jo PDK-ja, jo Vetëvendosje, por në përgjithësi politika e Kosovës, një gjeneratë e ka nxjerrë përjashta. Nëse punojnë më mirë dhe nëse i shohin të rinjtë me të tjerë sy, me qëllime të tjera, atëherë bëhet më mirë”, është shprehur mërgimtari Afrim Muja, i cili është nga Drenasi.

E Rafet Krasniqi, i cili ka mërguar drejt Perëndimit nga Prizreni, ka bërë thirrje për angazhim në funksion të uljes së pritjeve nëpër kufi.

“Të ketë më shumë sistem, ato që i kemi t’i rregullojmë, t’i forcojmë, të ketë për ne mërgimtarët liri e hapësirë në kufi, këto i presim. Njerëzit që janë këtu duke jetuar, u duhet më shumë ndihmë financiare”, është shprehur ai.

Shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi që të votojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit vetëm nëse paraprakisht nuk janë regjistruar për të votuar nëpërmjet postës apo nëpër përfaqësitë diplomatike në shtetet ku janë me qëndrim.  
Me ligjin e ndryshuar për zgjedhjet janë tri mënyra votimi nga jashtë, ai nëpërmjet dërgimit të pakos së fletëvotimit nëpërmjet postës në kutitë jashtë vendit, në adresën e KQZ-së brenda Kosovës si dhe nëpërmjet votimit fizik në përfaqësitë diplomatike.

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës. Nga mesi i tyre, janë 55 mijë e 16 syresh që kanë aplikuar për t’ua dërguar pakot me fletëvotim në adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe 2 mijë e 724 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Votimi nëpërmjet postës përfundon më 27 dhjetor. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit apo në kutitë postare më të afërta.

Me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, janë funksionale kutitë postare në 23 shtete - në Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mal i Zi, Maqedoni Veriore, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, Shtete të Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Më 14 dhjetor, dy ditë pas afatit të paraparë, KQZ-ja e ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Shkelja e afatit ka ndodhur për shkak se është vonuar procesi i shtypjes së fletëvotimeve. Ndërkaq, rreth 19 mijë e 136 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

Vota e mërgatës ka dominuar si temë në javët e fundit, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e dhjetë Qendrave Alternative të Votimit, pas ankesës së Lidhjes Demokratike (LDK). Vendimin e PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka apeluar në Gjykatën Supreme, por edhe kjo instancë e ka hedhur poshtë, duke e mbajtur në fuqi vendimin e PZAP-së.

Trendi i votave nga diaspora ka pësuar rritje në tri palë zgjedhjet e fundit. Nga 5 mijë e 201 vota në vitin 2017, më 2019 kanë qenë 19 mijë e 789, më 2021, 56 mijë e 375, ndërsa afro 80 mijë për zgjedhjet e 9 shkurtit të 2025-tës.

Në zgjedhjet e vitit 2021, LVV-ja ka marrë rreth 44 mijë vota nga jashtë, apo 80 përqindëshin e atyre që janë dërguar me postë.

Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të caktuara në një periudhë kur mërgimtarët tradicionalisht ndodhen me pushime në Kosovë, kanë rritur angazhimin e partive për ta siguruar votën e tyre, të konsideruar gjithnjë e më strategjike në garën zgjedhore. Takime mobilizuese dhe thirrje për pjesëmarrje aktive janë mbajtur në qendrat kryesore të diasporës shqiptare në Evropë, edhe para nisjes zyrtare të fushatës në Kosovë.