Pas disa javësh pushimi në Kosovë, mërgimtarët kanë nisur kthimin drejt vendeve ku jetojnë e punojnë. Në pikën kufitare në Merdar, ata kanë treguar përshtypjet me të cilat po udhëtojnë, duke veçuar gjendjen politike. Por, krahas pushimeve, për një pjesë të tyre Kosova mbetet edhe vend ku shohin mundësi për investim e, eventualisht, edhe për t’u kthyer.
Fluksi i automjeteve me targa të huaja është shtuar në pikat kufitare, teksa mërgimtarët po përfundojnë qëndrimin gjatë pushimeve të verës në Kosovë. Në Merdar, pritjet gjatë të shtunës kanë qenë deri në 3 orë.
Pas disa javësh me familjarët, një pjesë e mërgimtareve kanë thënë se pushimet kanë kaluar mirë, por me vete marrin edhe përshtypjet për gjendjen në vend dhe për krizën politike.
“Përshtypja jonë është... domethënë institucionet të funksionojnë pak më shumë. Të gjitha gjërat të funksionojnë, ligji të funksionojë më tepër, edhe pastërtia e qytetit, domethënë qyteteve në përgjithësi në Kosovë”, ka thënë një mërgimtar nga Dragashi.
Përtej përshtypjeve për gjendjen në vend, disa prej mërgimtarëve kanë thënë se po mendojnë edhe për një hap tjetër – investimin dhe kthimin në Kosovë.
“Kosova për ne është mbret. Edhe shkon-vjen katastrofë. Ne jemi kënaq me familje krejt së bashku, atje vetëm punë-shtëpi. Ne jemi duke menduar goxha me familje me hap një biznes në Kosovë dhe të kthehemi”, ka thënë mërgimtari Dardan Alidemaj.
Edhe
Dështon takimi Kurti-Ulutash
“Kemi ndenjur, jemi kënaq mirë. Jemi kënaq, tri javë kanë shkuar shpejt. Po, si jo sidomos me investu mirë është”, ka thënë mërgimtari Haxhi Sadriu.
Por jo të gjithë e shohin të njëjtën mundësi.
Hamdi Thaçi ka thënë se gjendja politike dhe mungesa e institucioneve funksionale ndikojnë edhe në vendimin për të investuar apo për t’u kthyer.
“Një herë jo, në Kosovë edhe qeveri nuk ka ende. Deri te formohet qeveria, nuk mundemi. Nuk po e dinë as këta që janë këtu. Shpresojmë në të ardhmen qeveria formohet”, ka thënë ai.
Përderisa mërgimtarët përfundojnë pushimet dhe kthehen në vendet ku jetojnë, prania e tyre në Kosovë ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë e vendit.
Sipas njohësit të ekonomisë, Fidan Qerimi, vetëm gjatë muajve të verës, shpenzimet e mërgatës arrijnë në qindra miliona euro.
Edhe
Konsullata në Bujanoc, liderët e Luginës kërkojnë prani konkrete institucionale të Shqipërisë
“Sipas disa vlerësimeve statistikore me numrin e personave që janë në diasporë dhe që e vizitojnë Kosovën, mendoj mbi 600 milionë euro janë shpenzime të diasporës, që janë një infuzion për ekonominë e Kosovës vetëm në këta muajt e verës”, ka thënë Qerimi.
Shpenzimet gjatë pushimeve nuk janë e vetmja mënyrë përmes së cilës diaspora ndikon në ekonomi.
Remitancat arrijnë rreth 1.4 miliard euro në vit. Qerimi ka thënë se sfidë mbetet që një pjesë më e madhe e këtij kapitali të orientohet në investime dhe krijim të vendeve të punës.
“Për individët ose grupet e personave që duan të investojnë në Kosovë, për t’u kthyer për të punuar në një biznes, besoj që ka një pasiguri juridike, domethënë procedurat administrative të padefinuara mirë, me shumë komplikime, zbatimi i kontratave domethënë nuk është në nivelin e duhur”, ka thënë ai.
Për këto pengesa flasin edhe ata që e shohin mundësinë e kthimit të përhershëm në Kosovë.
“Po domethënë është e mundur për kthim, por faktikisht të funksionojnë institucionet pak më shumë, që të kesh se ku të ankohesh. Sepse për momentin jemi shumë larg disa gjërave. Nuk po funksionojnë gjërat si duhet”, ka thënë mërgimtari nga Dragashi.
Edhe
Ministrja lajmëroi mbylljen e restorantit te Liqeni i Radoniqit, drejtori: S’ka vendim zyrtar, puna vazhdon
Rreth një milion pjesëtarë të diasporës kosovare jetojnë jashtë vendit, tregon një hulumtim i Bankës Botërore, ndërsa numri mund të jetë edhe më i lartë kur përfshihen gjeneratat e dyta.
Rezana Bozhlani