Pasi një ditë më parë ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, njoftoi në Facebook për mbylljen e restorantit “Liqeni i Dukagjinit” në Gjakovë, nga ky biznes kanë reaguar të shtunën.
Në reagimin në faqen e restorantit thuhet se asnjë vendim zyrtar nuk u është dorëzuar zyrtarisht, se nuk kanë marrë asnjë vërejtje dhe se restoranti e vazhdon aktivitetin e tij.
“Deri në këtë moment, kompanisë sonë nuk i është dorëzuar apo komunikuar zyrtarisht asnjë vendim për mbylljen e aktivitetit”, thuhet në reagim duke shtuar se deri tash nuk kanë pranuar “asnjë vërejtje apo konstatim zyrtar se veprimtaria jonë ka shkaktuar ndotje, dëmtim apo prishje të cilësisë së ujit, ashtu siç është lënë të kuptohet në deklaratat publike”.
Të premten Pacolli shkroi në Facebook se Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar mbylljen e aktivitetit të restorantit që ndodhet në zonën e Liqenit të Radoniqit, dhe që sipas saj, “ka funksionuar në kundërshtim të plotë me legjislacionin mjedisor”.
Pacolli ka shkruar se aktiviteti ka qenë në “shkelje flagrante” të Ligjit për Ujërat, vendimit të Qeverisë për caktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit dhe akteve të tjera nënligjore, “duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm”.
E, nga menaxhmenti i restorantit kjo është mohuar. Në reagimin e tij thuhet se posedon dokumentacionin përkatës për ushtrimin e veprimtarisë, ndërsa shpreh gatishmëri që çdo çështje “ta sqarojmë dhe ta trajtojmë përpara institucioneve kompetente”.
“Ne i respektojmë institucionet e Republikës së Kosovës dhe do t’i përgjigjemi çdo procedure institucionale dhe ligjore me transparencë të plotë”, thuhet në reagim.
Edhe
Ngrihet aktakuzë ndaj pilotit kroat dhe partneres së tij serbe që spiunuan për situatën në veri
Sipas menaxhmentit, deklarata e dhënë e ministres pa ia dorëzuar një vendim zyrtar për këtë çështje ka prekur punëtorët dhe familjarët e tyre.
“Ajo që na ka prekur veçanërisht është fakti se një deklaratë e tillë publike prek jo vetëm emrin dhe reputacionin e kompanisë, por edhe mbi 60 punëtorë të punësuar në biznesin tonë... Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se respektimin e procedurave ligjore, transparencë dhe trajtim të drejtë institucional”, thotë reagimi.
Ministrja Pacolli të premten ka kërkuar hetim rreth veprimtarisë së restorantit duke kërkuar hetim edhe ndaj ish-zyrtarëve që, sipas saj, “mund të kenë keqpërdorur detyrën duke lejuar këtë situatë”.