Pesë objekte të ndërtuara pa leje janë rrënuar në afërsi të Liqenit të Radoniqit në Gjakovë, nga Inspektorati Mjedisor. Ministrja e Mjedisit ka bërë të ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në zona të tjera ujore të Kosovës. Aksionin e së mërkurës e kanë mirëpritur drejtuesit e KRU “Gjakova”
Ilirjana Thaqi
Pas aksionit te Liqeni i Ujmanit në veri të vendit, ekskavatorët e Inspektoratit Mjedisor të mërkurën u zhvendosën në afërsi të Liqenit të Radoniqit në Gjakovë.
Në këtë aksion u rrënuan pesë objekte pa leje të ndërtuara në pronë publike.
Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se prioritet mbetet largimi i ndërtimeve ilegale të ndërtuara në prona publike ujore.
“Arsyeja e këtij aktiviteti sot është që t’i largojmë këto ndërtime ilegale, të cilat janë ndërtuar në pronë të ndërmarrjes ‘KRU Radoniqi’. Ne do t’i largojmë prej kësaj zone, e cila nuk është tokë private, është tokë publike, është tokë ujore dhe duhet të mbrohet, sidomos liqeni. Këtu është uji i pijes”, ka thënë Pacolli.
Edhe
Rrënohen edhe gjashtë objekte ilegale pranë liqenit të Ujmanit
Ajo ka paralajmëruar se aksione të ngjashme do të ndërmerren edhe në zona të tjera të vendit.
“Ne kemi filluar aksione të tilla në zona ujore, duke filluar prej Mitrovicës, pra në veri të Mitrovicës. Tani jemi këtu në Gjakovë dhe do të vazhdojmë në vende tjera, pra edhe në liqene tjera, pra Liqeni i Batllavës, i Badovcit dhe në pjesë tjera të Kosovës, kudo që ka prona ujore të cilat janë të uzurpuara”, ka paralajmëruar Pacolli.
E kryeshefi ekzekutiv i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, tha se e kanë mirëpritur këtë aksion.
“Në zonën e mbrojtur dhe në pronën e KRU ‘Gjakovës’ janë këtu pesë objekte që janë qe një kohë të gjatë, por prej pamundësisë teknike të kompanisë këto kanë mbetur vite me radhë të pahequra prej këtij lokacioni. Kështu që me vendimin e ministrisë, kompania e mirëpret dhe jemi shumë të lumtur që këtë zonë ta mbrojmë”, ka thënë Krasniqi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit deri tani në zonën e Liqenit të Ujmanit janë rrënuar gjithsej 17 objekte ilegale.
E Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje disa herë autoriteteve në Kosovë për pezullimin e rrënimeve të objekteve pranë Liqenit të Ujmanit.
Pacolli: 17 vila janë rrënuar deri tash përreth Ujmanit
Ndërkohë para mediave, Pacolli ka paralajmëruar që ky aksion do të vazhdojë edhe te Liqeni i Batllavës e Badocit, e kudo ku ka prona ujore të uzurpuara jashtëligjshëm.
“Ne do të shohim kudo edhe në liqenet e tjera, pra edhe te Liqeni i Batllavës dhe Badocit dhe në pjesë të tjera të Kosovës, kudo që ka prona ujore dhe janë të uzurpuara jashtëligjshëm do të vendosim rregulla dhe do të sigurohemi që uji i pijes është primare për neve. Nuk ka ndërtime në zonat ku sigurohet uji i pijes”, ka thënë Pacolli tutje.