Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

S’respektoi urdhrin për mbyllje, iniciohet procedurë penale ndaj pronarit të restorantit pranë Radoniqit

Liqeni i Dukagjinit

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se pas mosrespektimit të aktvendimit për mbyllje, e kanë gjobitur dhe kanë iniciuar procedurë penale ndaj pronarit të restorantit “Liqeni i Dukagjinit” që ndodhet pranë Liqenit të Radoniqit në Gjakovë. 

Ajo ka thënë se pasi u injorua urdhri i prerë i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit për ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarisë, të mërkurën, me asistencë të Policisë së Kosovës, është kryer një inspektim i radhës në këtë restorant. 

“Për shkak të refuzimit për të zbatuar vendimin për mbyllje dhe vazhdimit të kundërligjshëm të punës është iniciuar procedurë penale ndaj pronarit të restorantit për vazhdim të kundërligjshëm të operimit. Shteti dhe vendimet e institucioneve nuk mund të sfidohen nga askush! Ujërat dhe prona publike e Kosovës nuk mund të degradohen për interesa private, prandaj sundimi i ligjit dhe mbrojtja e natyrës mbeten pa kompromis!”, ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook. 

Pacolli të martën ka njoftuar se Inspektorati i Mjedisit e ka mbyllur restorantin dhe hotelin “Liqeni i Dukagjinit”, për shkak se rrezikon ujin e pijshëm. 

Megjithatë, disa orë më vonë në një reagim në rrjetet sociale, “Liqeni i Dukagjinit” ka thënë se dyert e tyre janë gjithmonë të hapura.