Arbëri

Rriten shifrat e të infektuarve, qytetarët nuk po i përfillin masat anti-COVID

Moti me diell e dita e pushimit të Vitit të Ri kanë shtyrë shumë qytetarë që të kalojnë kohën e lirë në sheshet e kryeqytetit. E përveç shesheve, edhe lokalet ishin të mbushura me klientë.

Shumë pak qytetarë mbajnë maskën, e cila është obliguese edhe në ambiente të hapura. Janë të vetëdijshëm që masat nuk po respektohen në masë të madhe dhe ka të tillë që pajtohen se masat anti-COVID duhet shtrënguar.

“Për momentin gjendja nuk është aq e keqe, por nëse vazhdon trendi i rritjes së koronavirusit, duhet të shtrëngohen pak masat, nuk po i përmbahemi si popull në përgjithësi”, ka thënë një qytetar.

“Te trija i kam marrë edhe plus të gripit e kam marrë se e kam dëgjuar mjekun edhe kam vazhduar”, ka shtuar një tjetër qytetar.

Situata e krijuar ditëve të fundit me pandeminë, e masat kundër përhapjes së virusit, do të diskutohen në takimin e Komitetit për menaxhimin e pandemisë.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, takimi i radhës do të jetë të mërkurën.

Në anën tjetër, bashkatdhetarët që erdhën për pushime në Kosovë tashmë ia kanë mësyrë Institutit të Shëndetit Publik për t’u testuar për COVID-19. Ata po testohen, për t’u kthyer nga Kosova në vendet ku jetojnë.

“Kam ardhur, kemi me udhëtuar nesër me vajzën. Sot e bëra, nesër i marr rezultatet këtu. Në përgjithësi mirë, nuk pat shumë njerëz, shpejt e kryem. Gjithçka m’u duk në rregull”, ka thënë Faton Gashi. “Procesi shkoi shumë shpejt, shumë në rregull. Po më duhet për shtetin ku udhëtoj, në Gjermani duhet me e pasë”, ka shtuar bashkatdhetari Shefqet Berisha.

E në 24 orët e fundit në Kosovë nga 6 mijë e 169 mostra të testuara, 108 kanë rezultuar pozitive. Kjo është shifra më e lartë në dy muajt e fundit.