Masat e reja të miratuara të mërkurën nga ekzekutivi i kanë mirëpritur qytetarët. Mirëpo, gjatë paradites në sheshet e kryeqytetit nuk është parë asnjë polic në detyrë që mbikëqyr respektimin e masave.
Të liruara në korrik, masat anti-COVID u deshën të ashpërsohen nga Qeveria e Kosovës ende pa u bërë një muaj shkaku i rritjes alarmante të numrit të të infektuarve me këtë virus.
Ndër masat më të rënda qytetarët e kanë cilësuar bartjen e obliguar të maskës në rrugë nëse nuk janë vetëm, dhe kufizimi i hyrjes së qytetarëve në ambiente të grumbulluara nëse nuk kanë dëshmi të testit negativ me COVID-19 apo marrjen e së paku dozës së parë të vaksinës.
Përkundër kësaj, ata kanë deklaruar se i kanë mirëpritur masat.
“Këto ditë tash sidomos që virusi po përhapet shumë më shpejt, kalon më shpejt prej njeriut një njeri, ato masa duhet të ashpërsohen. Mirëpo, në anën tjetër po humb ekonomia”, ka thënë Izet Zhuja
“Ju po i shihni këto dorëza të bardha. Këto nuk parashikohen me masat më të reja, por unë i kam shtuar masat. Unë jam që t’i shtoj masat. Madje, më duken masa të lehta”, ka thënë Shaqir Foniqi.
Mirëpo, gjatë qëndrimit të ekipit të televizionit në sheshet e kryeqytetit nuk është parë asnjë polic në detyrë që mbikëqyr nëse po respektohen masat.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka deklaruar se ata janë kundër mbylljes totale.
“Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria, të gjithë të fokusohen në vaksinim, të mos mendojmë për mbyllje, sepse mbyllja është fatale për ekonominë e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Masat e reja për gastronominë do të hyjnë në fuqi të premten më 20 gusht.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve ka shqiptuar 509 tiketa në bazë të ligjit COVID-19.