Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Robelli akuzon BE-në për standarde të dyfishta: Po hesht për përjashtimin e shqipes në Maqedoni

Enver Robelli

Gazetari dhe publicisti Enver Robelli ka kritikuar atë që e cilëson si standard të dyfishtë të Bashkimit Evropian në trajtimin e çështjeve që lidhen me të drejtat e komuniteteve në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, diplomacia evropiane është treguar shumë aktive në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, por nuk ka reaguar për tendencat që, sipas tij, synojnë përjashtimin e gjuhës shqipe nga përdorimi institucional në Maqedoninë e Veriut.

Në një shkrim në Facebook të shtunën, Robelli vlerësoi angazhimin e përfaqësuesve evropianë për të drejtat e serbëve në Kosovë, duke theksuar se është “shumë mirë që ndërmjetësi i BE-së, Peter Sorensen, është angazhuar që jeta e qytetarëve serbë të Kosovës të lehtësohet sa më shumë që të jetë e mundur”, duke aluduar te vizita e sotme e diplomatit danez te kryeministri Albin Kurti, ku u dakorduan për të krijuar lehtësira për komunitetin serb në Ligjin për të Huajt.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai përmendi gjithashtu reagimet e ambasadorëve të vendeve të mëdha evropiane, duke thënë se është pozitive që diplomacia evropiane po tregon kujdes për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë dhe se edhe kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, është treguar e vëmendshme për këtë çështje.

Megjithatë, Robelli theksoi se ekziston “një dallim i madh me heshtjen e BE-së” kur bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, në këtë shtet rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa së fundmi është përmendur mundësia që gjobat e trafikut të lëshuara nga policia të jenë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, “jo në shqip”.

Së fundmi, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut refuzoi përdorimin e shqipes në mesazhet për gjoba në trafik.

Robelli thekson se për rreth 3 për qind serbë në Kosovë ka një mobilizim të madh të diplomacisë evropiane, ndërsa për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut mungon reagimi nga qendrat kryesore evropiane.

“Për 3 për qind serbë në Kosovë kemi një mobilizim të madh të krejt diplomacisë evropiane… Por për 30 për qind shqiptarë në Maqedoninë e Veriut a flet ndokush nga Brukseli, Berlini, Parisi apo Shkupi?”, shtron ai pyetjen.

Robelli përmend edhe mungesën e reagimit nga zyrtarë dhe institucione të ndryshme evropiane, duke përfshirë shefen e diplomacisë së BE-së, ambasadorë të vendeve kryesore në Shkup, institucionet e BE-së, por edhe qeveritë në Kosovë e Shqipëri.

“BE mund të jetë kredibile vetëm nëse angazhohet pa dallime për të drejtat e të gjitha komuniteteve joshumicë në Ballkan. Nëse bën përjashtime, atëherë besueshmëria i afrohet zeros”, ka shkruar në fund Robelli.