Kulturë

Nacionalizmi në Ballkan – pasojë e refuzimit të ballafaqimit me të kaluarën

Nacionalizmi në Ballkan – pasojë e refuzimit të ballafaqimit me të kaluarën

Publicisti Enver Robelli ka qenë i ftuar si mysafir në Ulqin, por në takimin e hapur, të mbajtur të premten mbrëma në librarinë “Ulqini”, ai s’është i tillë. Bashkëbisedimi me të – udhëhequr prej gazetarit Gjergj Filipaj – edhe në raport me audiencën e në përshëndetjet para e pas kohës zyrtare të ngjarjes – i ngjan një takimi me një mik të kahershëm

“Përkundër të gjitha problemeve, jemi shqiptarët e gjallë me më së shumti liri që kemi pasur ndonjëherë në histori”, ka thënë gazetari, publicisti, përkthyesi e shkrimtari Enver Robelli. E, njëra prej dëshmive është edhe takimi i tij i hapur në Ulqin. Kur flet për karrierën e tij, ajo është sikur rrugëtim nëpër ngjarje e kapituj ose kthesa historike. Mendimi i tij ka peshë edhe në një vend ku jo rrallë fryn erë nacionalizmash si ai serb. “Është pasojë e refuzimit të shumë shoqërive në Ballkan për t’u përballur me të kaluarën”, ka thënë Robelli

Diku nga mesi i diskutimit, Enver Robelli e ka ripërsëritur konstatimin se është dashur të kalojë shumë kohë derisa e vërteta për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, të depërtojë në botën perëndimore.

Por vetë ai, është njëri prej zërave të bujshëm që i ka kontribuuar kësaj, veçmas në hapësirat gjermanofolëse. Robelli, s’e ka thënë këtë, por e ka dëshmuar me punën e penën e tij.

Gazetari, publicisti, përkthyesi e shkrimtari, ka qenë i ftuar si mysafir në Ulqin, por në takimin e hapur, të mbajtur të premten mbrëma në librarinë “Ulqini”, ai s’është i tillë. Bashkëbisedimi me të – udhëhequr prej gazetarit Gjergj Filipaj – edhe në raport me audiencën e në përshëndetjet para e pas kohës zyrtare të ngjarjes – i ngjan një takimi me një mik të kahershëm. Robellin e njohin edhe në qytetin bregdetar me shumicë shqiptare nëpërmjet shkrimeve, përkthimeve e veprave që ka botuar dhe mendimi i tij ka peshë edhe në një vend ku jo rrallë fryn erë nacionalizmash. “Është pasojë e refuzimit të shumë shoqërive në Ballkan për t’u përballur me të kaluarën”, ka thënë ai kur ka folur në këtë temë. “Sepse sikur të kishte një ballafaqim serioz me të kaluarën në njëzet apo njëzetepesë vjetët e fundit, mendoj që nuk do të kishte politikan që do të fliste për luftë por do të diskutonim se cilët kapituj të Unionit Evropian i kemi mbyllur për t’u anëtarësuar. Por është edhe pasojë se disa konflikte mbetën të papërfunduara”.

Qenë trazirat si ato 1997-s në Shqipëri me marrinë e skemave piramidale, protestat studentore të tetorit të atij viti në Kosovë e deri te shpërthimi i luftës, kur Robelli mprehu edhe më penën e gazetarit.

Por kur flet për karrierën e tij, ajo është sikur rrugëtim nëpër ngjarje e kapituj ose kthesa historike.

Robelli nuk i shpëton dot “deformimit” profesional: gjatë gjithë kohës flet me data të sakta, ngjarje e detaje të cilat – siç e potencon – i kanë interesuar përherë.

Me gazetari u “infektua” si i ri. Dhe atë nëpërmjet valëve të radios. Por secilin hap të tij, ai e lidh me hapat e shoqërisë. Ose me situatën.

“Jam infektuar me idenë e gazetarisë qysh si fëmijë. Më kujtohet që e dëgjonim shpesh Zërin e Amerikës në orën 18:00 por pastaj edhe në orën 19:00, BBC-në në serbokroatisht. Për BBC-në, nga Prishtina raportonte një koleg i yni, Ibrahim Osmani. Por ai fliste në kroatishte brilante, sepse kishte studiuar atje në vitet ’70 dhe baba im vazhdimisht thoshte: ‘Kështu duhet të jetë një gazetar’”, ka thënë Robelli. Me këtë, i ati i tij e ndiente një krenari që dikush fliste aq mirë kroatisht, por jo vetëm.

“E ndiente një lloj çlirimi që kur fliste Osmani, ne nuk e ndienim veten si qytetarë të dorës së dytë por si të barabartë në atë hapësirën e madhe jugosllave…Ky ka qenë ai momenti që më ka nxitur”, ka thënë gazetari që nisi të botonte në “Rilindje”, pastaj punoi në radio në Zvicër, prej vitit 2000, redaktor i politikës së jashtme në të përditshmen zvicerane “Tages-Anzeiger”, korrespondent në “Süddutsche Zeitung” të Gjermanisë, e “Kohës” si revistë dhe më pas “Kohës Ditore” s’iu nda qysh prej themelimit të saj në pranverën e 1997-s.

Robelli shquhet për mprehtësinë e mendimit, stilin dhe elegancën. Shkrimet e tij – njashtu sikurse veprat që ka botuar – përherë sjellin tisin e eruditit. “Si e zbuluam Zvicrën duke ecur” bashkë me Omer Xhemalin, është vepra e fundit e tij, “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë: Një kronikë e pazakonshme e shekullit të 20-të” prej se u botua më 2022, shpejt u shndërrua në bestseller, “Veç pavarësi asgjë më pak: Ibrahim Rugova në shtypin gjermanofon (1989 - 2006)”, “Arbën Xhaferi rrëfen - Në Tetovë në kërkim të kuptimit”, “Ratko Mladiq dhe banaliteti i së keqes”, janë disa prej librave të tij krahas veprave që ka përkthyer.

“Mos e humbisni rastin për ta dëgjuar publicistin Enver Robelli njëherësh jo vetëm mjeshtër i shkrimit dhe përkthimit por edhe udhëtar i mendimit bashkëkohor”, ka qenë ftesa për takimin e hapur mundësuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi. Takimi me të ishte paralajmëruar si një ngjarje me të cilën libraria “Ulqini” nuk do të jetë “vetëm një hapësirë librash, por një vend ku fjala bëhet dritare e kujtesës dhe pasqyrë e kohës sonë bashkëkohore”.

“Zëri i publicistit të njohur që udhëton nga Zürichu në Prishtinë, në Ulqinin tonë sjell me vete peshën e analizës së mprehtë dhe finesën e rrëfimit që e shndërron përvojën personale në kujtesë kolektive”, shkruhej në ftesë.

“Enveri është gazetar i veçantë sepse ka vendosur që zejen e gazetarit ta zhvillojë larg Kosovës në Zvicër dhe shpesh ka qenë një person i cili ka qëndruar ndërmjet realitetit tonë ballkanik dhe atij evropian”, e ka përshkruar krejt në fillim të takimit gazetari e bashkëbiseduesi i tij, Gjergj Filipaj pa u futur në detaje biografike. Pyetjet e tij, kanë qenë zbërthimi i rrugëtimit tok me zhvillimet historike e me analizën e realitetit të së tashmes.

Në ambientin e rrethuar prej librave – në librarinë e parë të librit shqip në Ulqin të inauguruar më 2021 por që ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme të Prishtinës e Tiranës – Robelli ka thënë se “gazetaria është profesioni më vetëplaçkitës i mundshëm”.

“Si gazetar ti e plaçkit vetveten. Nuk fiton shumë dhe sakrifikon jashtëzakonisht shumë kohë”, ka thënë ai. “Nga jeta ime kam sakrifikuar për të përkthyer, shkruar e lexuar por më kanë interesuar përherë detajet”.

Ka vjet që Robelli ka kritikuar e paralajmëruar për fenomene e çoroditje në shoqëri, në politikë po se po. Edhe në gazetari.

“Në gazetari kanë arritur të futen shumë kuaj Troje dhe unë po frikësohem që po shkojmë drejt një situate të jashtëzakonshme kur nuk mund ta dallosh më të vërtetën nga e pavërteta”, ka thënë Robelli.

S’e ka problem që pyetjet e bashkëbiseduesit apo nga audienca ta rikthejnë bisedën te fillimi i karrierës së tij, a në vitet e përmbysjes së mendësive edhe në Perëndim.

“Pas gjenocidit në Srebrenicë, mendimi perëndimor për regjimin e Millosheviqit ndryshoi në mënyrë radikale dhe nuk ka qenë ndoshta ndonjë vepër e madhe heroike të kritikosh regjimin e Millosheviqit sepse ajo ishte evidente që duhej kritikuar për shkak të ndezjes së një lufte të re që e bëri në Kosovë”, ka thënë ai. Mund të mos ketë qenë “vepër e madhe heroike” por e zorshme po se po.

“Fillimisht ka qenë një lloj idealizimi i Jugosllavisë. Është menduar se Jugosllavia është një shtet funksional ku demonët e së kaluarës nuk rikthehen më”, ka thënë Robelli. “Është shumë absurde, unë kam njohur kolegë zviceranë që në vitin 1984 kanë nënshkruar peticion për lirimin nga burgu të Vojsllav Sheshelit sepse ai atëherë ishte historiani më i ri që kishte doktoruar në Jugosllavi pastaj u dënua si përkrahës i ideologjive pronaziste të Luftës së Dytë Botërore, të çetnikëve. U dënua në Sarajevë më 1984 por në perëndim shihej si disident”.

Demonët e së kaluarës ende qesin flakë. Mandej edhe aso që s’i takojnë së kaluarës, por të lindur pas luftërave në këto anë.

“Është jashtëzakonisht absurde që tani në lëvizjen studentore në Serbi, njëri prej shqetësimeve të studentëve është se përse ushtria serbe apo policia serbe që tani po angazhohet për t’i shtypur ata, është treguar aq frikacake në Kosovë”, ka thënë Robelli.

E, Kosova, deri sa nuk krisën pushkët me aksionet e para të armatosura në Kosovë më 1997, për Perëndimin ishte më shumë “çështje e të drejtave të njeriut”.

“Nuk ishte diçka më e madhe, që kërkonte vëmendje shumë më të madhe. Duhet thënë se çlirimi i Kosovës fillon në atë moment kur ndodhin disa ndryshime shumë të rëndësishme në Evropë”, ka thënë ai duke precizuar ndryshimet: Në Francë erdhi në pushtet Jasques Chirac “i cili e ka thyer linjën tradicionale franceze sa i përket Serbisë”, në Britaninë e Madhe “ikin konservatorët në krye me John Major të cilët e kanë ndjekur vijën tradicionale mirëkuptuese, balancuese, e Tony Blair e ndryshoi radikalisht”.

“Pastaj gjermanët, në tetor të 1998-s vjen Gerhard Schröder me Joschka Fischerin në qeveri. Unë mendoj që po të qëndronte Helmut Kohli në pushtet, Gjermania nuk do të hynte në luftë sepse Kohli ka qenë pjesë e një gjenerate që e ka përjetuar Luftën e Dytë Botërore dhe ata kanë qenë kundër çdo angazhimi të Gjermanisë në konflikte apo luftëra të tjera”, ka thënë Robelli.

Sot, në realitetin e përgjithshëm politik, Kosova “është peng i nyjës së pazgjidhur me Serbinë”. Në atë të brendshëm, të krizës politike, ka tjetër histori. Për shqiptarët e Malit të Zi, Kosova ka fort peshë, përherë është parë si një lloj adrese e pike orientuese që determinon historikisht ruajtjen e identitetit shqiptar edhe në këto anë. Për skenën politike të Kosovës, Robelli ka thënë se “ndoshta ka pak nevojë që të ketë ndikim pak më të madh të Perëndimit”.

“Por problem është që Perëndimi të cilin ne e kemi përjetuar me vite, nuk ekziston më. Pra është veç iluzion i yni, ka disa copëza në BE…por nuk është ai”, ka thënë Robelli.

Enver Robelli, nuk tingëllon pesimist edhe kur ka arsye për këtë. Në shkrime, në analiza, ai kritikon sepse kërkon zgjidhje.

“Përkundër të gjitha problemeve, jemi shqiptarët e gjallë me më së shumti liri që kemi pasur ndonjëherë në histori”, ka thënë Robelli.

E, njëra prej dëshmive është edhe ardhja e tij në Ulqin. Si një zë ku fjala e tij ka peshë.