Arbëri

Shqiptarët në Luginë të shqetësuar për heshtjen e BE-së

Përfaqësues të shqiptarëve në Luginë të Preshevës kanë dhënë kritika për mungesën e reagimit ndërkombëtar ndaj diskriminimit që u bëhet nga shteti serb. Ata kanë akuzuar BE-në për qasje të padrejtë, pas vizitës së Kaja Kallasit në veri të Kosovës dhe jo edhe në Luginë të Preshevës

Shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë shprehur shqetësimin për mungesën e veprimeve të faktorit ndërkombëtar ndaj shtypjes që po u bëhet në baza etnike nga shteti i Serbisë.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafi, ka thënë se Bashkimi Evropian po punon me dy standarde, duke iu referuar vizitës së përfaqësues së lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, te serbët në Mitrovicë të Veriut.

“Nëse është dashur ata t’i vizitojë dhe dëgjojë shqetësimet e tyre ka pasur një milion arsye më shumë që të ndalojë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe të dëgjojë shqetësime tona. Shqiptarët këtu janë duke ikur nga autoktonia e tyre. për shkak të vargut shumë të gjatë të trysnive që bën Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të pambrojtur”, i ka thënë KOHËS Mustafi.

Shqetësimet e shqiptarëve në Luginë i ka konstatuar në një raport edhe Komiteti Këshilldhënës i Këshillit të Evropës për zbatimin e Konventës Kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Serbi, i publikuar në fillim të majit.

Ky raport thekson si probleme: pasivizimin e adresave, nën-përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike, varfërinë, papunësinë dhe vështirësitë me qasjen në shëndetësi e arsimim.

Kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, tha se shqiptarët në këtë pjesë kanë nisur t’i humbin shpresat në faktorin ndërkombëtar.

“Gjithmonë hasim në neglizhencë apo në reagime deklarative dhe nuk kemi parë deri tash hapa konkretë. Serbia po vazhdon të luajë me dy karta, herë me Rusinë, herë me Evropën dhe po e shfrytëzon këtë shumë mirë dhe për këtë arsye shumë herë po është e përkëdhelur nga Evropa në mënyrë që të mos e lënë të shkojë me Rusinë”, ka thënë Pajaziti.

Para Kallasit që nuk vizitoi shqiptarët e Luginës, ka kërkuar veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të tyre, kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

E dy ditë më parë gjatë vizitës së saj në Zvicër, edhe presidentja, Vjosa Osmani ngriti shqetësimin për të drejtat e shqiptarëve në Serbi.

“Ajo çfarë është duke ndodhur në Serbi ndaj shqiptarëve është spastrim etnik me mjete administrative dhe këtë e bëjnë duke i larguar nga listat e votuesve, duke i lënë pa nënshtetësi dhe ka edhe shumë shkelje të të drejtave të tjera fondamentale të cilat janë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare që Serbia i ka marrë nëpërmjet konventave ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

Në fillim të këtij muaji edhe Parlamenti Evropian ka theksuar shqetësimet për shqiptarët në Luginë, që mes tjerash janë të kufizuar edhe në të drejtën për arsim në gjuhën amtare.