Arbëri

Rizanaj: Për një vit identifikuam 640 keqinformata, zgjedhjet e 9 shkurtit tema kryesore

Festim Rizanaj

640 keqinformata janë identifikuar në raportin vjetor mbi gjendjen e çrregullimit informativ për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, me titull “Prapa Ekraneve: Zgjedhjet, tema kryesore e keqinformimit”, të publikuar nga platforma për verifikimin e fakteve Hibrid.info. 

Festim Rizanaj nga kjo platformë në një intervistë në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se shumica e këtyre keqinformatave kanë qenë në gjuhën shqipe. 

“Janë identifikuar diku rreth 640 keqinformata, 548 prej tyre kanë qenë në gjuhën shqipe, 110 në serbisht, që janë publikuar në gjuhen serbe duke i përfshirë mediat në Serbi, por edhe disa në Kosovë, dhe diku një përqindje e vogël në gjuhën angleze dhe gjuhë të tjera që i kemi identifikuar gjatë monitorimit”, është shprehur Rizanaj. 

Ai ka thënë se tema kryesore e keqinformimeve kanë qenë zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. 

“Temat që e përcaktojnë informimin e përcaktojnë edhe keqinformimin, te ne janë zhvilluar zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt dhe tema e keqinformimit kanë qenë zgjedhjet në Kosovë. Qëkur presidentja e bëri të ditur datën e zgjedhjeve ne kemi vërejtur një fenomen interesant ku TikToku hyri në lojë dhe u krijuan llogari të ndryshme në mbështetje të kandidatëve të ndryshëm për kryeministër”, ka deklaruar Rizanaj. 

Ai ka thënë se në këto llogari përhapeshin dezinformata për kandidatët e partive të ndryshme. 

“Nuk e dimë kush ka qëndruar prapa tyre por në bazë të emërimeve të llogarive kemi identifikuar se prapa tyre qëndrojnë partitë e mëdha”, ka theksuar Rizanaj. 

Sipas tij numri më i madh i keqinformatave publikohen në media sociale, prapa të cilave nuk dihet se kush qëndron. 

“Në përqindje të publikuesve del që 74 për qind janë keqinformata të publikuara në media sociale kurse rreth 22-23 për qind janë të publikuara në media që dihet se kush janë pronarët e tyre, që kanë një redaksi. Në media reale ka kryesish artikuj, clickbait, me tituj çorientues, kemi përmbajtje të paverifuakara ose gabime kur raportohet për tema të caktuara, që kanë të bëjnë me numra ose informata që lënë hapësirë për gabime ... Në media kemi clickbait, gabim, përmbajtje të paverifikuara, kurse në media sociale kemi lajme të rreme, dezinformim e manipulim me fakte”, ka thënë Rizanaj.

Deklaratat e pambajtura të politikanëve

Ai ka thënë se në raport kanë përfshirë edhe deklaratat e pambajtuar të politikanëve. 

“Kemi deklarata të pambajtura të kryeministrit në detyrë dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, për shembull i kanë premtuar 160 çerdhe të reja, banesa të përballueshme për 4 mijë familje, ndërtimin e shtëpive për kujdesin ndaj të moshuarve nuk e ka realizuar, shujta falas për fëmijët në klasat 1-5, Aeroporti i Gjakovës ka pasur të bëhet funksional për cargo dhe transport e kthyen për shërbime ushtarake kryesisht”, ka deklaruar Rizanaj. 

Për deklarata të pambajtuar e ka përmendur edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. 

“Pastaj kryetari i Prishtinës Përparim Rama i ka premtuar 30 autobusë urbanë por nuk i ka sjellë, ndërtimin e spitalit të përgjithshëm në Prishtinë, nuk e ka bërë", ka theksuar Rizanaj.

Ai për deklarata të pambajtura ka përmendur edhe ministrin në detyrë të Financave Hekuran Murati, atë të Bujqësisë Faton Peci, ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ministrin në detyrë të Mbrojtjes Ejup Maqedonci.