Arbëri

Rikthehet rryma në kryeqytet

Rryma - sheshi

Përditësuar 20:04 - Fiks një orë pasi KOSTT-i njoftoi se është kthyer furnizimi me energji elektrike në qendër të Prishtinës, edhe kjo zonë tash ka rrymë. 

Mungesa e energjisë elektrike zgjati më shumë se 30 orë.


Përditësuar 19:48 - Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) ka thënë të enjten në mbrëmje se është rikthyer energjia elektrike në qendër të Prishtinës,  pas më shumë se 30 orësh mungesë furnizimi, që nga djegia e nënstacionit afër stadiumit “Fadil Vokrri”. Megjithatë, kur është bërë gati një orë nga njoftimi i KOSTT-it, qendra është ende pa rrymë. Banorët e prekur kanë thënë se ende nuk kanë furnizim.

Siç ka deklaruar KOSTT-i në Facebook, transformatori i nënstacionit "Prishtina 3" është rikthyer pak pas orës 19:00. Sipas KOSTT-i, është bërë improvizim i përkohshëm për ta mundësuar energjizimin e nënstacionit. Ky institucion ka thënë se do të punohet në vlerësimin e dëmeve dhe për të identifikuar shkaqet që çuan në avari. 

I kontaktuar nga KOHA, zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka thënë se tash KOSTT-i ka kryer punën e tij e se rikthimi i energjisë elektrike mund të jetë “çështje minutash”. Ai ka deklaruar se rryma do të kthehet “gjithsesi sonte”. 

Me mungesë të energjisë elektrike u përballën rreth 10 mijë konsumatorë. Fillimisht ishin prekur edhe 11 mijë të tjerë, por që problemi ishte rregulluar ditën e djeshme.

Zjarri pati ndodhur në mëngjesin e së mërkurës. Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi, pati deklaruar se intervenimi për shuarjen e zjarrit ka qenë i vështirë.