Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT) ka thënë se gjendja në sistemin elektroenergjetik është stabilizuar, pas rikthimit të bllokut B2 të termocentralit Kosova B. Megjithatë, pavarësisht se KOSTT-i ka thënë se kjo ia ka mundësuar ndërprerjen e reduktimeve, në disa lagje në kryeqytet gjatë orëve të para të së mërkurës ka pasur ndërprerje të rrymës.
“KOSTT njofton se gjendja në sistemin elektroenergjetik është stabilizuar pas masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e furnizimit me energji elektrike. Mungesat e furnizimit nga KESCO janë plotësuar nga KEK me hyrjen në operim të bllokut B2, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe ruajtjen e integritetit të sistemit, si dhe duke mundësuar ndërprerjen e kufizimit të ngarkesës (reduktimeve). KOSTT u bën thirrje të gjitha palëve në treg të respektojnë rregulloret dhe të sillen me përgjegjësi, për të siguruar operim të qëndrueshëm dhe të sigurt të rrjetit. KOSTT mbetet në gatishmëri dhe do të vazhdojë monitorimin e sistemit, duke ndërmarrë masat e nevojshme sipas kompetencave ligjore”, thuhet në njoftimit e KOSTT-it të martën në mbrëmje.
Të martën qytetarët u përballën sërish me reduktime si pasojë që KESCO ka nominuar energji elektrike më pak sesa kërkesa reale e konsumit. Sipas parashikimeve të KOSTT-it, në orët e pikut është rreth 1400 megavat-orë, ndërsa prodhimi vendor rreth 600 megavat-orë, që i bie se mbi 800 megavat-orë ose më shumë se gjysma e energjisë duhet të sigurohet nga importi. E megjithatë, KESCO tha se mundësitë për import janë të kufizuara.
E njëjta ndodhi edhe ditë më parë. Pas alarmit nga KOSTT-i për devijime, në Zyrën e Rregullatorit për Energji bënë të ditur se do të fillojnë hetimet e do të marrin masa ndaj operatorëve.
Dy ditë më parë, në KEK kanë njoftuar se njësia B2 do të ndalet për kontroll teknik, që zgjatë 48 orë. Ndërsa njësia A3 është ndalur më 16 janar, kur sistemi e ndali automatikisht njësinë për të parandaluar dëme më të mëdha. E të martën në mbrëmje, B2 u rikthye në funksion.
KOHA ka pyetur në KEK dhe në Ministrinë e Ekonomisë nëse është ende në fuqi marrëveshja me Korporatën Elektroenergjetike të Shqipërisë dhe nëse ka shkëmbime të energjisë në kohën kur Kosova ka nevojë, porse gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.
E shkaku i situatës, në KEK, KOSTT dhe KESCO u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë energjinë gjatë kësaj periudhe, me qëllim të, siç thanë, kontribuimit në sigurinë energjetike.