Reduktimet e energjisë elektrike kanë filluar sërish në tërë vendin, pavarësisht njoftimit të para një jave të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) për normalizim dhe stabilizim të gjendjes në sistemin elektroenergjetik.
Ky operator ka thënë se po përballet me vështirësi të mëdha si pasojë e devijimeve në rrjetin interkonektiv evropian, teksa kërkesa reale për konsum tejkalon atë nominale. Pra Kosova po shpenzon më shumë energji sesa që ka lajmëruar në rrjetin evropian.
“KOSTT bën thirrje që nominimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, për të shmangur devijimet dhe për të ruajtur sigurinë e sistemit. Në këtë situatë, KOSTT është detyruar që të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga KOSTT-i. “Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”.
Sipas rrjetit evropian të energjisë, aktualisht blloqet B2 dhe A3 të KEK-ut janë jashtë funksionit.
Ditë më parë në Zyrën e Rregullatorit për Energji kanë paralajmëruar masa ndaj operatorëve të licencuar që shkaktuan devijime në rrjetin interkonektiv evropian, në përmasa të papara më parë.
Rreth një javë më parë KOSTT-i ka njoftuar për normalizim dhe stabilizim të gjendjes në sistemin elektroenergjetik, duke thënë se është rritur prodhimi vendor i energjisë dhe se janë implementuar masa të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji.