Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, të cilat kanë qenë gjithëpërfshirëse në të gjitha komunat, përfshirë edhe ato në veri, deputeti i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka më asnjë arsye që ta mbajë Kosovën nën masa sanksionuese. Sipas tij, veprime duhet të ndërmerren edhe në shqyrtimi e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE, që është dorëzuar më 2022, pavarësisht pengesave që mund të shfaqin shtetet jonjohëse
Deputeti holandez i Parlamentit Evropian (PE), Thijs Reuten, e ka theksuar domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është aktualisht shteti i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat, ani se aplikacionin për këtë e ka dorëzuar në nëntor të vitit 2022.
Në një bisedë për KOHËN, në margjinat e Konferencës së Sigurisë të mbajtur në Beograd, eurodeputeti Reuten ka thënë se ky proces ka ngecur në BE pa arsye teksa e ka shtruar nevojën për veprime konkrete nga të gjitha palët e përfshira.
“Siç ndoshta e dinë shikuesit tuaj, unë jam një mbështetës i fortë i rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe mendoj, dhe e kam thënë këtë shumë herë, se tani duhet të fokusohemi në përfundimin e punës. Një nga hapat e rëndësishëm është që aplikimi i Kosovës për anëtarësim të shqyrtohet më në fund. Nuk mund ta kuptoj që kjo të qëndrojë kaq gjatë në pritje”, është shprehur Reuten.
Eurodeputeti holandez ka thënë se arsye për mosshqyrtimin e aplikacionit nuk duhet të shërbejë fakti se pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Nuk ka absolutisht asnjë arsye për këtë. Ne mund të vazhdojmë me procesin, pavarësisht faktit që ende ka disa shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Kjo është një fakt, por megjithatë mund të vazhdojmë me përpunimin e aplikimit për anëtarësim”, ka thënë ai.
Për sa i përket dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të cilin e lehtëson Bashkimi Evropian, ai ka folur për rëndësinë e krijimit të një momentumi të ri për të avancuar marrëveshjet dhe që kjo të nisë me heqjen e masave për Kosovën.
“Mendoj se tani, që zgjedhjet lokale u kryen, së pari duhet të hiqen masat kundër Kosovës. Për mua, ato nuk duhej të ishin vendosur kurrë dhe duhej të hiqeshin shumë kohë më parë, por tani që së shpejti do të kemi kryetarë të rinj që e marrin detyrën në komunat përkatëse, mendoj se ky është momenti për Komisionin dhe shtetet anëtare që të heqin sanksionet. Sa i përket dialogut, mendoj se ka një nevojë të qartë për një impuls të ri”, ka theksuar Reuten. “Nuk mund të vazhdojmë si më parë, siç e kemi parë gjatë viteve të kaluara, andaj shpresoj se edhe komisionerja Kos do të ndërmarrë një hap përpara dhe me lehtësuesin e ri të dialogut shpresojmë se procesi mund të ndryshojë dhe të bëhet gjithashtu më pak i lidhur me progresin për anëtarësim, sepse mendoj se kjo jep shumë hapësirë për të penguar përparimin e anëtarësimit, si nga Serbia, për të qenë të sinqertë, por sidomos edhe për Kosovën që të ecë përpara në rrugën drejt statusit të kandidatit për BE dhe më pas për anëtarësim”.
Sipas Reutenit, Bashkimi Evropian duhet të jetë i rreptë dhe gjithashtu i drejtë në qasjen karshi të dy vendeve teksa ka shtuar se kjo nuk ka ndodhur deri më tash.
“Ka pasur një qasje të pabarabartë. Megjithatë, ajo që na duhet nga të gjithë, edhe nga ana e Kosovës, është që ta kthejmë faqen dhe të angazhohemi seriozisht për të bërë një hap përpara. Por që kjo të ndodhë, edhe Bashkimi Evropian duhet të jetë i qartë se çfarë duam nga ky proces dhe të mos e lidhë aq ngushtë sa më parë me progresin në anëtarësim. Po, natyrisht, të gjithë e dimë se në një moment, kur të ketë progres në rrugën e anëtarësimit për Serbinë ose për Kosovën, do të vijë një moment kur duhet të bashkohemi sërish. Por për momentin, kemi mjaft punë për të bërë dhe mjaft përparim për të arritur pa u penguar vazhdimisht nga shqetësime dhe probleme të tjera brenda normalizimit. Mendoj se është koha të kthejmë faqen, së bashku me një qasje më të rreptë dhe më profesionale nga Komisioni dhe nga shtetet anëtare, dhe gjithashtu pres nga të dy qeveritë që të kthejnë faqen dhe të angazhohen në mënyrë të kuptimtë. Gjatë viteve kam qenë mjaft i qartë se ku mendoj se kanë qenë mangësitë”, është shprehur Reuten.
Një tjetër çështje për të cilën eurodeputeti Reuten e ka theksuar nevojën për qasje të qartë dhe të barabartë të BE-së është trajtimi i të drejtave të komuniteteve etnike në rajon. Ai ka bërë thirrje për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, sikurse Serbia që kërkon të respektojë të drejtat e qytetarëve serbë në veri të Kosovës.
“Është mirë që të shohim pjesëmarrjen e qytetarëve serbë nga Kosova në veri të Kosovës. Por le të përpiqemi të ruajmë të njëjtat të drejta për shqiptarët në Serbi, ashtu si, me të drejtë, kërkojmë që qeveria e Kosovës t’i respektojë kur bëhet fjalë për qytetarët në veri të Kosovës. Pra, mendoj se kur doni të trajtoni të drejtat e qytetarëve të ndryshëm me prejardhje të ndryshme, atëherë është gjithashtu e drejtë të kërkoni të njëjtën gjë edhe nga vendet që me të drejtë kërkojnë respektimin e të drejtave”, ka thënë Reuten, teksa ka shtuar se është në dijeni edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Reuteni ka theksuar se stabiliteti rajonal është i ndërlidhur me progresin e integrimit evropian. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve dhe liderëve të Serbisë dhe të Kosovës që të mos lejojnë ndikimin e aktorëve të jashtëm që tentojnë të krijojnë ndarje dhe destabilitet.
“Ky rajon ka parë mjaft dhunë dhe tensione në të kaluarën. Ne duhet të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë dhe të mos lejojmë që faktorë të jashtëm të na ndajnë”, ka thënë Reuten, duke e theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.