Arbëri

Eurodeputeti Reuten: Pas heqjes së masave, të procedohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim

reuten

Eurodeputeti holandez Thijs Reuten ka thënë se pas heqjes së masave të Bashkimit Evropian, hapi i radhës është shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat.

Reutes i ka quajtur politikë katastrofale të BE-së masat ndaj Kosovës.  

“Më në fund. Urime Kosovë. Çfarë katastrofe ka qenë kjo politikë e BE-së. Tani mund të vazhdojmë përsëri rrugën evropiane të Kosovës. E radhës: të procedohet aplikimi i anëtarësimit të Kosovës që ka mbetur në sirtar prej vitesh”, ka shkruar ai në X.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Bashkimi Evropian (BE) do t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës në fund të janarit të vitit të ardhshëm.

Të mërkurën në mbrëmje, në një deklaratë pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Osmani ka thënë se ka marrë konfirmimin nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se masat do të hiqen tërësisht në janar.

"Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit", ka thënë ajo.  

Të martën, BE-ja hoqi një pjesë të masave ndëshkuese të vendosura më 2023. Sipas letrës nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve të tetorit.