LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Vazhdimi i masave ndaj Kosovës i pashpjegueshëm, i padrejtë e i paarsyeshëm

Vjosa Osmani me Riho Terras

Një ditë pasi Brukseli zyrtar shprehu qëndrimin se diskutimet për heqjen e masave ndaj Kosovës do të zhvillohen pas formimit të qeverisë së re, ka reaguar presidentja Vjosa Osmani. Gjatë takimit me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, Osmani ka theksuar se shteti ka përmbushur të gjitha kërkesat e partnerëve evropianë dhe se mbajtja në fuqi e masave dëmton qytetarët dhe procesin e integrimit evropian

Presidentja Vjosa Osmani ia ka përcjellë qëndrimin raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, se vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm.

Osmani ka thënë se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE duhet të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave.

Në njoftimin e Presidencës për takimin, theksohet se Osmani ka thënë se masat duhet larguar, meqë zgjedhjet lokale edhe në veri u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.

“Në këtë kontekst presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e z. Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë. Sipas presidentes Osmani, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në Bashkimin Evropian të hënën është shprehur gatishmëria për angazhim të heqjes së masave pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

“Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për të hequr gradualisht masat në fuqi në maj 2025. Siç është thënë më herët, ne synojmë t’i heqim më tej këto masa. Ne e mirëpresim dorëzimin e qetë të administrimit lokal në 4 komunat veriore dhe presim që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve... BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së”, thuhet në njoftimin nga BE-ja.

KOHA ka raportuar se Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës. 

Në anën tjetër, “së paku 13 shtete” kanë kërkuar që ato të hiqen. 

BE-ja ia pati vendosur sanksionet Kosovës pas tensioneve të vitit 2023 në veriun e populluar kryesisht me serbë. Brukseli pati vlerësuar se vendimi i qeverisë për t’i dërguar kryetarët në objektet komunale e ka përshkallëzuar situatën, ku për disa javë pati protesta, mes të cilave edhe të dhunshme, ku u sulmuan pjesëtarë të KFOR-it, të Policisë së Kosovës dhe gazetarë.