Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palatova: Kosova duhet t’i bindë 27 shtetet anëtare për statusin e kandidatit në BE

Eva Palatova

Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka deklaruar se Kosova nuk mund ta marrë automatikisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi duhet t’i bindë të 27 shtetet anëtare të BE-së, raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, më 9 maj, në një organizim të Zyrës së BE-së në Kosovë, ajo tha se Brukseli pret nga Kosova zgjedhje të lira dhe të drejta, formim të shpejtë të institucioneve dhe avancim të reformave.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“E di, zoti Kryeministër, që ju dëshironi që BE-ja të ecë përpara me aplikimin për anëtarësim, të cilin e dorëzuat gjatë presidencës çeke në Pragë. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar që ta arrini këtë synim të radhës. Por më lejoni të jem e sinqertë, Brukseli nuk mund ta japë thjesht statusin e kandidatit. Ju duhet t’i bindni 27 shtetet anëtare”, tha ajo.

Palatova theksoi se Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë standarde demokratike dhe stabilitet institucional.

“Dhe për këtë, rëndësi kanë këto tri elemente kyçe. Kosova është dhe duhet të mbetet një demokraci e gjallë. Zgjedhjet parlamentare që mbahen saktësisht një muaj nga sot duhet të jenë, përsëri, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, tha ajo.

Ajo shtoi se Bashkimi Evropian pret krijimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve dhe vazhdimin e reformave.

“Së dyti, shpresojmë të shohim një formim të shpejtë të institucioneve. Një qeveri e bazuar në një shumicë të fortë në kuvend, e aftë të gjenerojë kompromise të fuqishme ndërpartiake, të zgjedhë një president dhe të avancojë me agjendën e reformave. Dhe sigurisht, karakteri shumetnik i Kosovës është me vlerë të madhe për të gjitha shtetet tona anëtare”, tha ajo.

Sipas saj, shtetet anëtare të BE-së po e përcjellin mënyrën se si Kosova i trajton komunitetet joshumicë dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

“Të gjitha kryeqytetet tona vëzhgojnë ruajtjen e tij, angazhimin konstruktiv me të gjitha komunitetet shumicë, në mënyrë që të gjithë kosovarët, pavarësisht përkatësisë etnike, të ndiejnë se kanë një shtëpi dhe perspektivë këtu. Në këtë drejtim, ne mbështetemi në zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjes së 14 marsit. Dhe e di, zoti Kryeministër, që ju ia rikonfirmuat këtë përfaqësuesit të lartë edhe këtë javë në Jerevan”, tha ajo.

Palatova shtoi se BE-ja pret zbatim me mirëbesim të marrëveshjeve dhe progres në dialogun e lehtësuar nga Brukseli.

“Ne llogarisim në zbatim me mirëbesim, llogarisim që momentumi që krijon kjo marrëveshje t’i japë një shtysë të mëtejshme zgjidhjeve konkrete dhe progresit në dialogun e ri të lehtësuar. Ne llogarisim që mbi këtë bazë, përmes bashkëpunimit të udhëheqjes së Kosovës në të gjitha partitë politike, statusi i kandidatit të bëhet i prekshëm dhe premtimi nga Samiti i Selanikut i vitit 2003 të bëhet një perspektivë e arritshme. Tani, dua gjithashtu të jem i qartë se Bashkimi Evropian i vitit 2003 nuk është Bashkimi Evropian i vitit 2026”, tha ajo.

Lexo përditësimet tjera
Albin Kurti

Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i...