Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, ka mohuar të jetë shkarkuar nga ky post, siç njoftoi të hënën kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ai ka thënë se ka dhënë dorëheqje të premten e 19 gushtit.
“Reagim dhe sqarim rreth dorëheqjes nga Prishtina Parking. Ashtu si e do rregulli, njoftimi për dorëheqje, shkarkim apo te ngjashme, së pari i bëhet personit për kënd i drejtohet apo organit që të ka zgjedhur, e tek pastaj mediave dhe palëve të interesuara. Unë kam dhënë dorëheqje me datë 19 gusht 2022, ditë e premte, të njëjtën e kam protokolluar pranë zyrës përkatëse të kompanisë ku kam kryer funksionin. Arsyet e dorëheqjes veçse janë të theksuara në akt-dorëheqjen”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai më tej ka paralajmëruar se do t’i ndjekë rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit.
“Për të ruajtur reputacionin dhe dinjitetin tim, do të shikoj mundësitë ligjore për mbrojtjen e reputacionit tim dhe kolegëve të ndërmarrjes publike komunale Prishtina Parking ku kam punuar me nder dhe përgjegjësi deri më tani”, ka shtuar Restelica.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka njoftuar të hënën se Restelica është shkarkuar nga posti i kryeshefit ekzekutiv të NPL “Prishtina Parking”.
Edhe
Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Parkingut”
Sipas njoftimit të Ramës në Facebook, Restelica është shkarkuar pasi ka keqpërdorur detyrën, nuk e ka informuar bordin për planet dhe projektet investuese te ndërmarrjes dhe thuhet se nuk ka përfillur Bordin e Drejtorëve.