Arbëri

Peci: Fermerët e dinë në funksion të kujt e kam kryer detyrën

Faton Peci

Ministri i Bujqësisë në detyrë, Faton Peci, ka reaguar publikisht përmes një postimi, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe duke theksuar se ai ka vepruar gjithmonë në interes të publikut, pas gati pesë orësh intervistim nga Prokuroria Speciale dje në cilësinë e të dyshuarit lidhur me një tender për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore.

Në një postim në Facebook të mërkurën, një ditë pas intervistimit, Peci shprehu mirënjohje për solidaritetin që i është treguar dhe theksoi veçanërisht besimin e 133,987 qytetarëve që i dhanë votën në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ai ka shkruar se epilogu i këtij procesi do të jetë i qartë për të gjithë ata që e njohin punën e tij, sidomos për rreth 30 mijë fermerë që përfitojnë subvencione dhe grante çdo vit nga ministria që ai udhëheq.

“Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare”, shkroi Peci, duke nënvizuar se puna dhe vendimet e tij janë transparente dhe të qasshme për këdo që ka interesim.

Ministri në detyrë përfundoi postimin, duke e quajtur Kosovën “vend të bekuar” dhe duke përmendur Zotin si mbrojtës mbi popullin e saj.

Reagimi i plotë:

Të dashur qytetarë, miq e familjarë;

U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin!

Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare.

Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim.

Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot! 🫶