Pas deputetes Fitore Pacolli, edhe ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit për rastin e granteve në Ministrinë e Bujqësisë. Hetimet ndërlidhen me kallëzimin penal të dorëzuar nga LDK-ja rreth dyshimeve për shpërndarje grantesh te familjarë të Pacollit. E pas intervistimit, ish-ministri paralajmëroi kallëzim penal për atë që e quajti kallëzim i rrejshëm
Ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar të premten nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit për rastin e granteve në ministrinë që e ka udhëhequr më parë.
Intervistimin e tij e ka konfirmuar Prokuroria Speciale, në të cilën bënë të ditur se për të njëjtën çështje një ditë më parë është intervistuar edhe deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
“Ju njoftojmë se Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Prokuroria Speciale.
Intervistimi lidhet me kallëzimin penal që Forumi i Rinisë i LDK-së, në krye me ish-deputetin Paris Guri, e dorëzoi më 19 nëntor të 2024-tës rreth dyshimit se Ministria e Bujqësisë u ndau grante, në vlerë prej 100 mijë eurosh, dy familjarëve të deputetes Pacolli.
Ish-ministri Peci, tani kryetar i Mitrovicës së Jugut, konfirmoi se intervistimi i tij lidhet me këtë kallëzim penal. Ai pati edhe akuzë për Gurin, të cilin e quajti deputet të zgjedhur me vota të vjedhura të mërgatës.
“Në prokurori, sikur gjithmonë gjatë jetës sime, isha transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me shpjegimet rreth çështjes dhe rolit që kam pasur si ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Shumë shpejt, do t’u drejtohem organeve të drejtësisë me një kallëzim penal kundër kallëzimit të rrejshëm penal ndaj ish-deputetit me vota të vjedhura të mërgatës”, ka thënë Peci.
Në kundërpërgjigjen e tij, ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri i përmendi rastet e dyshuara për vjedhje votash midis kandidatëve të LVV-së për deputetë, teksa theksoi se shpreson që intervistim i Pecit të mos mbetet me kaq.
“Shpresoj që ky intervistim të mos mbetet me kaq, por të vazhdohet deri në dënimin e merituar për të dhe për të gjithë ata që i kanë futur duart në buxhetin e shtetit. E mirëpres edhe kallëzimin penal të tij ndaj meje për kinse fushatë të orkestruar kundër tij. I vetmi orkestrim në atë rast ka qenë orkestrimi i tij për të shpërndarë paratë e buxhetit te familjarët e eksponentëve të VV-së”, ka deklaruar Guri.