Arbëri

Raporti i IKSHPK-së e cilëson të rrezikshme mbajtjen e zgjedhjeve

Mbajtja e zgjedhjeve lokale më 17 tetor mund të rrisë rrezikun për shtimin e rasteve të vdekjeve nga COVID-19, thuhet në opinionin profesional të Task-Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, mbi të cilin do të zhvillohet diskutimi konsultativ i ftuar nga presidentja me partitë politike të hënën.

Sipas burimeve të KOHËS brenda IKSHPK-së, raporti do të prezantohet vetëm si mendim profesional për situatën e jo si rekomandim për shtyrje apo jo të zgjedhjeve.

Presidentja Vjosa Osmani ftoi të premten partitë politike për një takim të hënën konsultativ për të diskutuar lidhur me zgjedhjet lokale.

Në ftesën dërguar partive thuhej se takimi mbahet “për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend”.

Shefi i kabinetit të Osmanit, Blerim Vela, ndërkohë në një sqarim të dytë pati deklaruar shkurt se takimi ka të bëjë vetëm me shqyrtimin e opinionit e rekomandimit të IKSHPK-së lidhur me procesin zgjedhor, dhe se takimi nuk paraqet vendim për shtyrje të zgjedhjeve.

Për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, është diskutuar prej ditësh mundësia që zgjedhjet të shtyhen, megjithëse për një gjë të tillë nuk dihet se si mund të veprohet sa i përket aspektit ligjor.

Ndërkaq, nga partitë është kërkuar që fushata zgjedhore të shkurtohet për shkak të numrit të lartë të të infektuarve.

Në mars të vitit të kaluar, ishin shtyrë zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës, pasi Agim Veliu pati lënë postin e kryetarit për ta udhëhequr Ministrinë e Punëve të Brendshme. Atë kohë presidenti Hashim Thaçi pati marrë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve pas pranimit të rekomandimit nga KQZ-ja. Ndërkaq, KQZ-së i kishin rekomanduar pezullimin e përkohshëm të zgjedhjeve IKSHPK-ja dhe Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse.