Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato të parakohshmet. Propozimi është shpalosur në takimin konsultativ që presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur me përfaqësues të partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Për mbajtjen e zgjedhjeve lokale u propozuan tri data gjatë muajit tetor
Dy palë zgjedhje: lokale e të parakohshme, në të njëjtën datë, është propozimi që Lëvizja Vetëvendosje ka shpalosur në takim konsultativ me presidenten Vjosa Osmani.
Sipas përfaqësueses së LVV-së në këtë takim, Albulena Haxhiu, nuk është duke u parë ndonjë zgjidhje për situatën aktuale. Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet të mërkurën për herë të 26-të me radhë.
“Ideja ishte e imja për faktin se edhe sot e përmenda në paraqitjen para mediave dhe ju referuan asaj deklarate dhe unë isha shumë e vullnetshme që të diskutojmë edhe për këtë. Por ju e dini që duhet ta konstituojmë Kuvendin, duhet ta shpërndajmë Kuvendin dhe për këtë duhet marrëveshje politike. Edhe një herë për ta qartësuar, qëndrimi i Lëvizjes është që të konstituohet Kuvendi, të votohet qeveria por meqë nuk ka vullnet politik mund t`i kemi të dyja zgjedhjet bashkërisht”, ka thënë Haxhiu, në daljen para mediave pas takimit.
Sipas Haxhiut me këtë propozim është pajtuar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Por para mediave, Krasniqi tha se nuk e sheh të mundshme mbajtjen e të dy palë zgjedhjeve në të njëjtën ditë, derisa zgjedhjet e parakohshme i konsideroi domosdoshmëri.
“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme brenda një procesi kushtetues, edhe nëse nuk është zgjedhja e parë as e partive as e qytetarëve, mund të bëhet e domosdoshme. Qëndrimi ynë si PDK ju e dini ka qenë i ditur, kam shkuar edhe një hap tutje i kam propozuar edhe datat e mundshme të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Por tashmë nuk është e mundshme, unë nuk e shoh të mundshme që zgjedhjet të mbahen në të njëjtën datë sepse afatet kushtetuese janë kokëforta ne s`mundemi me e adaptu e as me interpretu kushtetutën jashtë afateve. Po a mundemi me mbajt zgjedhje të mëhershme para zgjedhjeve lokale në kuptimin teorik e mundshme është. Kjo varet normalisht edhe nga vullneti i partive të tjera politike”, ka thënë Krasniqi.
E për zgjedhjet lokale, 5, 12 dhe 19 tetori janë datat eventuale të mbajtjes së tyre, të diskutuar edhe si të tilla në takimin e mbajtur nga përfaqësuesit e partive politike në takimin me presidenten Vjosa Osmani të mërkurën.
Në takimin që zgjati rreth 30 minuta, mungoi kryetari i partisë më të madhe parlamentare, Albin Kurti e kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek. Derisa Lëvizja Vetëvendosje u përfaqësua nga Albulena Haxhiu, në konsultimin për datën e zgjedhjeve nuk pati përfaqësues të Listës Serbe.
Lëvizja Vetëvendosje e Partia Demokratike e Kosovës, thanë se kanë propozuar që zgjedhjet lokale të mbahen sa më parë.
“Sa më herët që shpallen aq më mirë duke pas parasysh që mund të kemi edhe balotazh prandaj edhe duke pasur edhe në vëmendje edhe motin e ftohtë e të tjera si këto që mund të vështirësojnë situatën ne jemi të pajtimit që ato të shpallen sa më herët”, tha anëtarja e kryesisë së VV-së, Albulena Haxhiu.
Ndonëse Krasniqi i PDK-së thanë se të gjitha datat janë të pranueshme, ai në takim shtoi se ka propozuar dy prej tyre.
“Për neve të gjitha datat janë të pranueshme, por preferenca ynë do të ishte sa më herët ose dy datat që i kam prezantuar si preferencë pa i përjashtuar të tjerat janë datat 19 tetor apo 12 tetor. Besoj që presidentja u ka marrë parasysh”, ka thënë lideri i PDK-së.
12 tetori, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ka qenë propozim edhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Sot, në takimin konsultativ të thirrur nga presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve komunale, propozova që këto zgjedhje të mbahen më 12 tetor 2025. Kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore. Shpresoj që presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të përfillë këtë propozim”, ka shkruar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në rrjetin social “Facebook”, pas takimit.
E nga Zyra e Presidentes thanë se caktimi i datës së zgjedhjeve lokale do të bëhet në ditët në vijim.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot takimin konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Gjatë takimit, presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, thuhet në njoftim.
Sipas ligjit për zgjedhjet lokale, ato nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se tridhjetë 30 ditë pas përfundimit të mandatit.