Arbëri

PDK-ja e LDK-ja kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve, VV-ja thotë se do të gjejë buxhetin për KQZ-në

Zgjedhjet e parakohshme pasojnë dështimin për herë të dytë të formimit të Qeverisë së re. Pas seancës, në të cilën i mandatuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk i mori votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, PDK-ja e LDK-ja kanë kërkuar veprim të shpejtë nga presidentja në drejtim të shpalljes së datës së zgjedhjeve.

Shpalljen sa më parë të zgjedhjeve të parakohshme e kanë kërkuar partitë politike deri tash në opozitë.

Pas dështimit për zgjedhjen e qeverisë së re, të kryesuar nga mandatari i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se për caktimin e datës së 
zgjedhjeve nuk duhet humbur kohë.

“Shpresoj shumë që zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat duhet të shpallen menjëherë, sot apo nesër, pa humbur kohë, vërtetë të ju japin qytetarëve një mundësi për verdiktin e tyre që Kosovës do ti japë një qeveri e cila para së gjithash nuk është qeveri e një mentaliteti një partiak e përjashtues por një qeveri që e kthen bashkëpunimin si normë...”, ka theksuar Krasniqi.

E deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka bërë thirrje që për caktimin e datës së zgjedhjeve presidentja Vjosa Osmani të mos ndikohet nga askush.

“E thërrasim presidenten e vendit që të respektoj afatet kushtetuese dhe të mos lejojë asnjë ndërhyrje të kujtdo qoftë në vendimmarrjen e saj”, ka deklaruar Zemaj.

Për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet t`i ndahen mjetet e nevojshme. 

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ato do të sigurohen nga kursimet apo edhe tepricat e organizatave buxhetore.

“Nuk ka buxhet të organizuar. Ai buxhet që ka qenë i KQZ-së tashmë është shpenzuar sepse kemi pasur 3 palë zgjedhje. Mirëpo duhet të shihen mundësitë që si mundemi brenda transfereve, brenda kursimeve që kanë mbetur apo mund të ketë teprica në organizatat buxhetore që të sigurohet buxheti i nevojshëm. Sepse nëse caktohet data e zgjedhjeve duhet të ketë edhe financimin e nevojshëm për tu realizuar ato”, ka theksuar Murati.

Sipas Kushtetutës, nëse as në tentimin e dytë nuk zgjidhet Qeveria, presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.