Arbëri

Rekomandimi për shtyrje të zgjedhjeve kundërshtohet nga opozita

Lëvizja Vetëvendosje e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin konsultativ me presidenten Vjosa Osmani, e i cili pritet të mbahet të hënën. Presidentja në ditën kur ka ftuar partitë për takim, të premten, ka pranuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësie Publike rekomandimin për mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale. Letrën e plotë të IKSHPK-së e ka siguruar KOHA.

Rreziku për përhapje të koronavirusit në vend, mund të bëjë që zgjedhjet komunale të mos mbahen më 17 tetor.

KOHA ka arritur të sigurojë rekomandimin e Instituti Kombëtarë të Shëndetësisë Publike përcjellë presidentes Vjosa Osmani, një ditë pasi e njëjta iu bëri ftesë partive për konsultim për këtë proces zgjedhor.

Sipas letrës së IKSHPK-së, mbajtja e zgjedhjeve do të ndikonte në rritjen e rasteve me koronavirus, e si pasojë edhe të rrezikut për rritjen e rasteve me fatalitet.

“Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me COVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe vdekjeve, nga SHSKUK-ja dhe spitalet rajonale, si dhe projeksioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKSHPK-së është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen më vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19, e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet. Prandaj, meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet në letrën e IKSHPK-së.

Por, diskutimet për shtyrjen e zgjedhjeve lokale nuk janë mirëpritur nga partitë politike opozitare.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se IKSHPK-ja është shndërruar në instrument në pushtetit.

“Dështimi katastrofal pandemik, nuk guxon të prekë demokracinë. E kemi të shenjtë. Prandaj dhe zgjedhjet nuk guxon t’i prekë askush. Vullneti i lirë qytetar është mbi çdo institucion. Suprimimi i demokracisë është kufiri që se kapërcejmë dot. Kushdo që shërben në këtë drejtim do të mbaj përgjegjësi”, ka thënë Abdixhiku.

Daut Haradinaj nga AAK-ja, nëpërmjet një statusi në Facebook, ka thënë se “tentimi për shtyrjen e zgjedhjeve është dëshmi e qartë e ikjes nga përgjegjësia përballë qytetarëve”.

“Tentimi për shtyrjen e zgjedhjeve është dëshmi e qartë e ikjes nga përgjegjësia përballë qytetarëve. Pas qindra humbjeve të jetës së qytetarëve, këta zotërinjtë nuk e morën guximin një ngushëllim ta bëjnë për familjet e viktimave e as një vizitë në Infektivë e repartet e tjera. Prandaj, në demokraci zgjedhjet janë mjeti më i mirë i vlerësimit. 17 tetori duhet të jetë dita e vlerësimit për ta”, është shprehur kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës.

KOHA nuk ka arritur të marrë një përgjigje për këtë mundësi nga PDK-ja ndonëse një gjë të tillë, e kanë kundërshtuar ditë më parë.

E, të pyetur për qëndrimin e tyre lidhur me mundësinë e shtyrjeve të zgjedhjeve, nga Vetëvendosje kanë thënë se vlerësimi për këtë çështje u takon institucioneve shëndetësore.

“Ne besojmë që janë institucionet dhe organet shtetërore, sidomos ato të shëndetësisë, të cilat e japin vlerësimin e duhur për këtë çështje”, ka thënë Arlind Manxhuka nga kjo parti.

Në anën tjetër, Albert Krasniqi, njohës i proceseve zgjedhore, thotë se IKSHPK-ja nuk ka mbështetur në asnjë të dhënë rekomandimin e saj për shtyrjen e procesit zgjedhor.

“Analiza ‘profesionale’ e IKSHPK-së më shumë po i ngjan një pamfleti partiak sesa një vlerësimi profesional. Nuk përmban asnjë të dhënë për të mbështetur rekomandimin për shtyrje të zgjedhjeve. Për më tepër, po bie në kundërshtim edhe me shifrat që një ditë më parë na i prezantoi Kryeministri për përmirësim të gjendjes me pandeminë. Si mund t'u besojmë parashikimeve të IKSHPK-së për dy muajt e ardhshëm, e cila u akuzua nga kjo Qeveri se ka bërë rekomandime të gabuara për hapjen gjatë verës, si dhe ka llogaritur gabimisht që diaspora do të vijë e vaksinuar?! Sot, IKSHPK-ja do të duhej të dilte me protokolle të detajuara se si të zhvillohet fushata e të organizohen zgjedhjet në kohë të pandemisë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim të hënën, do t’i përgjigjen pozitivisht Vetëvendosje e AAK-ja, derisa gjatë ditës lidhur me këtë çështje, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga PDK-ja dhe LDK-ja.