Arbëri

Abdixhiku: IKSHPK-ja u shndërrua në instrument të pushtetit, zgjedhjet s’guxon t’i prekë askush

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike se po i shërben pushtetit me rekomandimin e tij që të shtyhen zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

IKSHPK-ja i rekomandoi presidentes Vjosa Osmani që të shtyhet procesi zgjedhor, duke thënë se mund të ndikojë në shtimin e rasteve të reja me COVID-19. Mbi këtë rekomandim Osmani ka ftuar krerët e partive në një takim konsultativ të hënën.

Megjithatë, sipas kreut të LDK-së, me këtë rekomandim IKSHPK-ja është shndërruar në instrument të pushtetit.

“Dhe me këtë humbi secilin kredibilitet. Skenari i paralajmëruar televiziv nga partia në pushtet, po ekzekutohet nga aktorë në shërbim të politikës instrumentalizuese. Trupat e kapur - me vullnet apo presion pa dallim - në vend të shëndetësisë, kanë vendosur të merren me politikë. Rekomandimi nuk u kërkua por u dha me porosi. Ashtu siç e paralajmëroj ditë më parë pushteti, ashtu siç po i duhet sot pushtetit”, ka thënë ai në një reagim në Facebook.

Abdixhiku më tej ka vazhduar se zgjedhjet s’bën të preken.

“Dështimi katastrofal pandemik, nuk guxon të prekë demokracinë. E kemi të shenjtë. Prandaj dhe zgjedhjet nuk guxon t’i prekë askush. Vullneti i lirë qytetar është mbi çdo institucion. Suprimimi i demokracisë është kufiri që se kapërcejmë dot. Kushdo që shërben në këtë drejtim do të mbaj përgjegjësi”, ka shtuar i pari i LDK-së. “Kosova ka mbajtur zgjedhje në pandemi. Vendet fqinje po mbajnë zgjedhje tani. Një ditë zgjedhje për demokracinë është e paalternativë. Fushata është shkurtuar; KQZ është e përgatitur; data e zgjedhjeve nuk mund të ndryshojë. Të kujdesemi për shëndet, të japim shembull, të organizojmë një proces fer - por proces me 17 tetor do të ketë. Frikën e pushtetit për dështimin masiv, s’mund ta shërojmë; por demokracinë, lirinë e votës suaj, do ta mbrojmë.”