Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mulhaxha-Kollçaku: Abdixhiku po provokohet sikur po i nënshtrohet dikujt për çështjen e presidentit

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë se lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po provokohet sikur po i nënshtrohet një partie politike sa i përket çështjes së presidentit. 

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se partia të cilës i takon, i konsideron të gjitha partitë barabartë sa i përket diskutimeve për këtë çështje. 

“Po e shoh që liderin e LDK-së e vënë në situata ku vazhdimisht e provokojnë thuajse ata janë duke iu nënshtruar dikujt apo ndonjë subjekti, gjë që nuk qëndron. Pavarësisht se ne jemi në aspektin e numrave shumë më mirë, i konsiderojmë të gjithë barabartë kur bisedojmë për çështjen e presidentit”, ka thënë ajo. 

Derisa ka folur për mundësinë e zgjedhjes së presidentit me votat e siguruara nga LDK-ja, Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se uron që brenda kësaj partie të mos ketë situata që janë parë kohët e fundit.

“LDK-ja ka qenë në një situatë jo të lakmueshme brenda subjektit të vet, ka pasur pak ndasi mes deputetëve, ka qenë momentum jo edhe i lehtë për LDK-në. Uroj që tani kanë unitet brenda grupit”, ka thënë ajo. 

Edhe Deputetë të zgjedhur të LDK-së thonë se presidenti duhet t’i takojë kësaj partie LAJMET E MBRËMJES Deputetë të zgjedhur të LDK-së thonë se presidenti duhet t’i takojë kësaj partie

E pyetur për kallëzimet penale të PDK-së dhe Aleancës lidhur me mbajtjen e dy pozitave – ministrit dhe deputetit – Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se ata që i mbajnë këto pozita janë vetëm ushtrues detyrë dhe kanë kufizime të qarta se deri ku mund të shkojnë me vendimmarrje. 

“Për asnjë moment shteti nuk mund të mbetet në pozita vakante, shteti nuk i ka obliguar të japin dorëheqje sepse janë pozita në detyrë nga mandati i kaluar, jo nga kjo legjislaturë e zgjedhur. Janë shumë të qarta kufizimet se deri ku mund të jetë një vendimmarrje për një ushtrues detyre”, ka thënë ajo.