Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Deputetë të zgjedhur të LDK-së thonë se presidenti duhet t’i takojë kësaj partie

LDK

Deputetë të zgjedhur të LDK-së kanë insistuar se çfarëdo marrëveshje koalicioni duhet të garantojë postin e presidentit për këtë parti. Sipas tyre, vetëm kjo formulë bashkëpunimi garanton balancë pushteti.

Deputetë të zgjedhur të Lidhjes Demokratike kanë insistuar se posti i presidentit duhet t’i takojë kësaj partie, në marrëveshjen e mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje.

Qëndrim të këtillë kanë shprehu si ligjvënës që janë deklaruar pro shkarkimit të Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë, si ata që janë pozicionuar kundër.

Para mbledhjes së parë të deputetëve që do ta përfaqësojnë LDK-në në legjislaturën XI, Jehona Lushaku-Sadriu tha se formula të tjera bashkëpunimi nuk garantojnë balancë.

“LDK-ja gjithmonë ka thënë se institucionet kryesore të kenë balancë. Edhe në këtë kuptim, kërkesa jonë është që presidenti t’i takojë LDK-së dhe pushteti të ndahet në mënyrë proporcionale”, theksoi ajo.

Prej që janë mbajtur zgjedhjet e 7 qershorit, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka shprehur qëndrimin që kandidatët për presidentë duhet të jenë jopartiakë.

Por, ligjvënës të linjës së fortë kundër Kurtit, por që kanë shprehur qëndrime kritike edhe ndaj Abdixhikut, kanë insistuar që posti më i lartë i shtetit t’i takojë LDK-së.

“Unë nuk i di detajet e takimit, por nga ajo që kam parë në media, domethënë kryetari i LDK-së me të drejtë, m’u duk, që insiston në pozitën e presidentit. Mendoj se pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe do të ishte një siguresë si për Kosovën, ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, deklaroi deputetja e zgjedhur e LDK-së Hykmete Bajrami.

Edhe Deputetët e VV-së e LDK-së bartin diskutimet politike në rrjete sociale Arbëri Deputetët e VV-së e LDK-së bartin diskutimet politike në rrjete sociale

Ndërsa kolegu i saj Armend Zemaj, tha se duhet marrëveshje që krijon stabilitet institucional.

“Marrëveshje që krijojnë stabilitet institucional, që ka partneritet të sinqertë dhe që nuk janë vetëm sa për sy e faqe ose sa për të përmbushur interesat e individit ose qëllimin e nënshtrimit të një partie mbi një parti tjetër”.

Vetëvendosja bashkë me ligjvënës të komuniteteve e pa përfshirë ata të Listës Serbe, ka numrin e mjaftueshëm të votave për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë. Por i mungojnë votat për zgjedhjen e presidentit, proces që në dy raundet e para kërkon pjesëmarrjen në votim të së paku 80 deputetëve.