Arbëri

Abdixhiku: Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet.

Ai përmes një statusi në Facebook ka shkruar se askush s’guxon ta prekë demokracinë.

Abdixhiku ka thënë se numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohin e ndjejnë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë.

“Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar - mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot. Propozimi im për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigje nga kryetari i partisë së parë. Këtë arrogancë edhe e pranoj - po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka shkruar se KQZ-ja është gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar.

“Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani. Ftoj të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufij”, ka thënë ai.

Ndërkaq lidhur me këtë më herët ka shkruar edhe Albert Krasniqi nga D+.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka hedhur në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, me pretekstin se mund të përkeqësohet situata me pandeminë.

Sipas tij, kjo po bëhet sepse partisë qeverisëse nuk po i dalin mirë numrat në fushatë.

“Është mirë kur politikanët tregohen të ndjeshëm ndaj shëndetit të qytetarëve, por këtë ndjeshmëri nuk e kemi parë në zgjedhjet e 14 shkurtit kur ftonin qytetarët të merrnin pjesë në marshe masive të fushatës zgjedhore. Atëherë mund të jenë ndjerë më afër pushtetit. Sot, kur me gjasë numrat nuk po dalin mirë për zgjedhjet lokale, përnjëherë shqetësohen për shëndetin publik!  Një gjë duhet pasur parasysh, që shtyrja e zgjedhjeve nuk e fsheh paaftësinë, papërgjegjësinë dhe pandjeshmërinë e shpërfaqur nga kjo Qeveri në gjithë situatën me pandeminë”, ka shkruar ai.