Arbëri

Partitë politike sot takohen me Osmanin për të diskutuar rekomandimin e IKSHPK-së për zgjedhjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të takojë partitë politike në takim konsultativ për të diskutuar lidhur me zgjedhjet lokale, të hënën [sot] pasdite.

Në ftesën dërguar partive të shtunën thuhet se takimi mbahet “për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend”.

Shefi i kabinetit të Osmanit, Blerim Vela, ndërkohë në një sqarim të dytë pati thënë shkurt se takimi ka të bëjë vetëm me shqyrtimin e opinionit e rekomandimit të IKSHPK-së lidhur me procesin zgjedhor, dhe se takimi nuk paraqet vendim për shtyrje të zgjedhjeve.

Për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, është diskutuar prej ditësh mundësia që zgjedhjet të shtyhen, megjithëse për një gjë të tillë nuk dihet se si mund të veprohet sa i përket aspektit ligjor.

Ndërkaq, nga partitë është kërkuar që fushata zgjedhore të shkurtohet për shkak të numrit të lartë të të infektuarve.

Në mars të vitit të kaluar, ishin shtyrë zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës, pasi Agim Veliu pati lënë postin e kryetarit për ta udhëhequr Ministrinë e Punëve të Brendshme. Atë kohë presidenti Hashim Thaçi pati marrë vendim për shtyrjen e zgjedhjeve pas pranimit të rekomandimit nga KQZ-ja. Ndërkaq, KQZ-së i kishin rekomanduar pezullimin e përkohshëm të zgjedhjeve IKSHPK-ja dhe Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse.