Arbëri

Presidentja thërret në takim liderët politikë

osmani

Pas dështimit të mandatarit, Glauk Konjufca, që t’i sigurojë votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar në takim kryetarët e partive politike, për të enjten, 20 nëntor.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, e ka konfirmuar për KOHËN se takimi do të nisë nga ora 10:30.

“Po, nesër në 10:30”, u përgjigj shkurt Mustafa.

Ftesën dhe pjesëmarrjen në takimin e presidentes Vjosa Osmani me partitë parlamentare, e ka konfirmuar edhe Nisma Socialdemokrate. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN deputetja e kësaj partie, Xhevahire Izmaku.

“Po e kemi pranuar dhe do të shkojmë!”, është përgjigjur Izmaku për KOHËN.

KOHA ka pyetur edhe Presidencën lidhur me këtë dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet. 

Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka votuar kundër formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën.

Pro formimit të Qeverisë sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.

Partitë që deri tash ishin në opozitë – PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja ishin kundër. Nisma abstenoi.

Pas dështimit për Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.