Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

S’ka as qeveri Konjufca, Kosova drejt zgjedhjeve të reja

  • Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën
  • Pro formimit të Qeverisë sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.
  • Partitë që deri tash ishin në opozitë – PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja ishin kundër. Nisma abstenoi
  • Pas dështimit për Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme
  • Paraprakisht Kuvendi hapi seancën e jashtëzakonshme me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje – për komisionet që i hapin rrugë shqyrtimit të buxhetit
  • Në këtë seancë nuk pati kuorum dhe u mbajtën fjalime vetëm nga deputetët e VV-së dhe një nga Përparim Gruda i PDK-së

Murati: U konfirmua barrikadimi i opozitës me Listën Serbe kundër Kurtit

11 muaj më parë / 19 nën 2025 15:57
Hekuran Murati

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se në seancën e sotme “është konfirmuar se partitë opozitare së bashku me Listën Serbe, u përbashkuan në qëllim të vetëm për ta kundërshtuar Albin Kurtin”. 

“Këta janë në gjendje të lënë 700 punëtorë të RTK-së pa paga, 85 mijë shërbyes civilë pa paga, 400 mijë fëmijë pa shtesa e 300 mijë pensionistë pa pensione, vetëm e vetëm mos dikush po ia lë fajin Kurtit”, ka thënë Murati në prononcim për media pas seancës së jashtëzakonshme. “Opozita është përbashkuar në qëllim të vetëm, kundërshtimin ndaj Kurtit. Po shpresoj qytetarët ta kenë parasysh këtë në zgjedhjet që na presin”. 
 

Krasniqi: Presidentja e ka obligim që sa më parë të shpallë datën e zgjedhjeve

11 muaj më parë / 19 nën 2025 15:46
Memli Krasniqi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani tani e ka obligim që sa më parë të shpallë datën e zgjedhjeve, pas dështimit të dytë për formimin e qeverisë.

Ai ka thënë se dështimi për formimin e qeverisë ka qenë i paralajmëruar.

“Kanë kaluar mbi nëntë muaj që kur qytetarët kanë folur me votën e tyre dhe i patën thënë një jo të madhe të ashtuquajturit referendum të Kurtit. Më vjen keq që qysh me 27 prill kam thënë që ky ngërç do të vazhdoj. Kam kërkuar qysh atëherë që këto zgjedhje të mbahen më herët. Sot s’ka mbetur të thuhet asgjë përveç që pas këtij dështimi të paralajmëruar presidentja e Republikës e ka obligim që sa më parë të shpallë datën e zgjedhjeve që të mos humbet kohë edhe më tej. Edhe propagandimi i të pavërtetave të shumta që u munduan të bëhen në seancën e parë nuk pinë ujë. Kosova nuk është duke i rrezikuar as fondet e BE-së, as kreditë e as qytetarët nuk mbesin pa paga vitin e ardhshëm”, ka thënë Krasniqi.

Zemaj: Osmani t’i respektojë afatet kohore dhe të mos lejojë ndërhyrje

11 muaj më parë / 19 nën 2025 15:39
Armend Zemaj

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lidhjes Demokratike Armend Zemaj, pas dështimit të votimit të mandatarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se në në fund u pa edhe shfaqja teatrale e kësaj partie.

Ai i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që t’i respektojë afatet kohore dhe të mos lejojë ndërhyrje.

“Loja me numra këto 8 muaj dhe dështimi për qeverinë dhe ishte paralajmërim i joni dhe shpërfaqi tendencën e VV-së. Vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Është lajm i keq por ka qenë tepër indikative që kjo do të ndodhë.

S’ka as qeveri Konjufca, Kosova drejt zgjedhjeve të reja

11 muaj më parë / 19 nën 2025 15:32
Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca,

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën. Pro formimit të propozimit qeverisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.

Konjufca në prezantimin e tij kërkoi votë për të shmangur një palë zgjedhje të reja, teksa ka thënë se me urgjencë do të trajtonte buxhetin e shtetit. Ai doli para deputetëve për votim pa siguruar marrëveshje politike me ndonjë subjekt tjetër.

Në kabinetin e propozuar nga Konjufca pati fare pak dallim në emra nga ai paraprak i propozuar prej Albin Kurtit. Dallimi ishte te ministri i Infrastrukturës. “U shkarkua” Dimal Basha e “u ngarkua” Besnik Bislimi.

Konjufca ishte mandatari i dytë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Paraprakisht, më 26 tetor Albin Kurti dështoi në votimin e parë. Pas tij presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor e mandatoi Konjufcën.

Me rastin e dështimit të Konjufcës, tani presidentja është e obliguar t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes.

Para seancës për votimin e Konjufcës, Kuvendi hapi seancën për formimin e komisioneve, por nuk pati kuorum për vendimmarrje, për shkak të mungesës së partive që deri tash ishin në opozitë, që kanë kundërshtuar iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën më 9 shkurt. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave.

Haradinaj akuzon Konjufcën për mungesë programi

11 muaj më parë / 19 nën 2025 15:27
Haradinaj akuzon Konjufcën për mungesë programi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar mandatarin Glauk Konjufca se po kërkon votën për kryeministër pa prezantuar asnjë program qeverisës.

Sipas tij, Konjufca nuk ka dhënë asnjë premtim përtej 2026-s. Ai ka thënë se Konjufca nuk pati fjalë as për luftën ndaj korrupsionit.

Haradinaj ka kritikuar Konjufcën edhe për emrat e prezantuar si pjesë të kabinetit.

Ai ka thënë se “ekziston një komplot, për zgjedhje më 28 dhjetor”.

Abdixhiku krahason Kurtin me Don Kishotin: Jeton në realitet paralel

11 muaj më parë / 19 nën 2025 15:20
Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e mbajtur në Kuvend e krahasoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me figurën letrare të Don Kishotit, duke thënë se qeverisja e tij po zhvillohet në një “realitet paralel”.

Abdixhiku ka thënë se i është drejtuar Kuvendit me një metaforë të thjeshtë, por shumë domethënëse, duke përdorur personazhin e Miguel de Cervantesit si simbolikë të qeverisjes aktuale.

“Fatkeqësisht, shteti ynë ka kohë që po udhëhiqet jo nga arsyeja, por nga një realitet paralel që e sheh vetëm një njeri – Albin Kurti. Sikurse Don Kishoti i Cervantesit, edhe Albin Kurti zgjohet çdo ditë në një botë që e ka krijuar vetë dhe aty sheh vetëm kundërshtar dhe në atë botë Albin Kurti i Vetëvendosjes sheh dhe krijon vetëm kundërshtar, kundërshtar që duan ta kthejnë Serbinë në Kosovë, ju gjeneral Hadërgjonaj, ti Ramush, ti Fatmir, ju gra dhe burra që keni luftuar. Kundërshtar që duan ta bllokojnë Kosovën, vendin tonë, vendin ku për dallim prej teje, ne i rrisim fëmijtë tanë këtu Albin, pasurinë më të madhe që e kemi. Pra, ne duam ta bllokojmë vendin e fëmijëve tanë”, ka thënë Abdixhiku me ironi.

Ai akuzoi Kurtin se po ndërton armiq imagjinarë për t’i mbuluar dështimet në ekonomi, në politikën e jashtme dhe në skandalet e korrupsionit.

“Kundërshtarët e tij janë gjithkah, në Parlament, në Prokurori, në gjykata, në media. Në vend se të merret me realitetin e vendit – me ekonominë e rënduar, me izolimin, me skandalet korruptive – ai zgjedh të luftojë ‘mullinjtë e erës’. Asnjë problem real i qytetarëve nuk është prioritet i tij”, deklaroi Abdixhiku.

Lideri i LDK-së ka thënë se qasja e Kurtit është e shkëputur nga interesat e vendit dhe se, sipas tij, ai funksionon politikisht vetëm përmes tensioneve dhe përplasjeve.

“Në ekzistencën tënde politike, Albin Kurti nuk di dhe nuk do të jetojë pa kontrast politik. Pa të, s’bën asgjë, s’ec asgjë, je asgjë”, theksoi Abdixhiku.

Ai u bëri thirrje deputetëve që t’i japin fund “qeverisjes së fantazisë”, duke thënë se Kosova nuk mund të mbahet peng i “udhëtimeve imagjinare” të një njeriu.

“Koha e Don Kishotëve e Sanço Pançëve duhet të mbarojë në Kosovë. Le t’i japim fund një propagande populiste dhe le t’i kthejmë dritën Republikës”, përfundoi ai.

Simiq: Lista Serbe nuk voton atë që ka përgatitur Kurti, në zgjedhje e merrni përgjigjen e qartë

11 muaj më parë / 19 nën 2025 15:19
Igor Simiq

Photo: Driton Paçarada

Deputeti nga radhët e Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se nuk do ta votojë qeverinë e propozuar nga mandatari Glauk Konjufca. 

Ai ka thënë se Albin Kurti do të mbahet në mend “për krijimin e diktaturës”. 

“Shkojmë në zgjedhje dhe do të keni përgjigjen e qytetarëve në të gjithë atë që keni bërë. Lista Serbe nuk voton atë që ka përgatitur Albin Kurti”, tha Simiq. 
 

PDK-ja s’ka votë për Konjufcën

11 muaj më parë / 19 nën 2025 15:10
urani

Deputeti Uran Ismaili e ka quajtur të pakuptimtë seancën e sotme.

Ai ka thënë se seanca është farsë.

Ismaili ka thënë se VV-ja ofroi një kandidat për kryeministër që nuk mund të propozojë as emra për ministra.

“Në tërë këtë kohë bllokohej Kuvendi me emrin e Albulena Haxhiut. Kur erdh koha e Dimal Bashës edhe vet VV-ja çuditej se pse u humb kohë aq shumë. Është dëshpëruese me pa Kuvendin me këtë mentalitet bllokues që 10 muaj. Ne kemi pranuar me tejkalu këtë situatë. Krejt çka i intereson Kurtit është se si me ia lënë fajin ish-opozitës”, ka thënë ai.

Ismaili ka thënë se si mund të jetë dikush kandidat për kryeministër kur dikush tjetër ia vendos emrat për ministra.

“Kërkohet vota që të merret peng Konjufca. A mundet Konjufca të distancohet dhe të kërkojë hetim të tenderëve njëburimor në KEK. A mundet Konjufca të kërkojë hetim për ministren Hajdari dhe abuzimet me rezervat e shtetit. Konjufca nuk mundet as me propozu ministra për të ardhmen e as me kërku hetim për abuzime për të kaluarën. PDK-ja do të votojë kundër. Vetëvendosja po tenton me zgjatë krizën”, ka thënë ai.

Konjufca prezanton kabinetin, Kurti ministër i Jashtëm

11 muaj më parë / 19 nën 2025 15:01
Glauk Konjufca

Photo: Driton Paçarada

Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca, ka prezantuar kabinetin me të cilën synon të qeverisë edhe për katër vjet. Ai ka bërë vetëm një ndryshim nga propozimet e Albin Kurtit. E ka vendosur Besnik Bislimin si ministër të Infrastrukturës dhe Transportit në vend të Dimal Bashës. 

Emrat dhe ministritë:

Zv. kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës – Albin Kurti

Zv. kryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla

Zv. kryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik – Fikrim Damka

Ministër i Financave dhe Ekonomisë – Hekuran Murati

Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale – Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla

Ministër i Administratës Publik dhe Digjitalizimit - Lulzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia

Ministër i Arsimit – Avni Zogiani

Ministër i Kulturës dhe Turizmit – Fatmir Spahiu

Ministër i Sportit dhe Rinisë – Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal – Rasim Demiri

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit – Besnik Bislimi

Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane – Mimoza Kusari-Lila

Ministre e Energjisë dhe Minierave – Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal – Sejnur Vejshall

Konjufca: Do të ishte arrogancë të shkojmë sërish në zgjedhje

11 muaj më parë / 19 nën 2025 14:51
Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca,

Photo: Driton Paçarada

Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca, ka thënë se viti 2025 do të mbahet mend si vit që shumica e tij humbi duke u përpjekur t’i bëjë institucionet, tek është prezantuar para deputetëve duke kërkuar votën për formimin e qeverisë që synon ta udhëheqë. Ai ka thënë se do të ishte arrogancë po që se Kosova shkon sërish në zgjedhje.

“Synojmë ta kursejmë Kosovën nga zgjedhje të tjera. Do të ishte arrogancë ta çojmë vendin në zgjedhje sërish. Nëse i mbajnë më dhjetor, kush na garanton që nuk shkojmë edhe në mars. Të mos harrojmë që ideja e domosdoshmërisë për mandatarin e dytë lindi pas dështimit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në veri të vendit janë luftuar me sukses strukturat e Serbisë të lidhura më krimin dhe kontrabandën. Konjufca tha se në planin ndërkombëtar gjatë këtij mandati u mundësua lëvizja pa viza dhe erdhën edhe tri njohje.

“Pa një qeveri të re, vendi ynë e ka sigurt thellimin e krizës aktuale”, ka deklaruar ai.

Konjufca ka thënë se tre hapa esencialë janë marrë nga VV-ja për shmangien e zgjedhjeve.

“Dy letra për koalicion drejtuar partisë së tretë, e dyta përpjekja në Kryesinë e Kuvendit dhe e treta është kjo e fundit ku ndodhemi tash”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka thënë se po që se bëhet kryeministër çështje urgjente do t’i ketë buxhetin 2026, marrëveshjet financiare ndërkombëtare, pagat për RTK-në dhe miratimin e buxhetit për tri komuna.

Ai ka thënë se po kërkon “atë që dikur e ka bërë VV-ja”.

“Unë po kërkoj nga ju diçka që vetë e patëm bërë në vitin 2020. Të gjithëve na kujtohet se si VV-ja e pati votuar buxhetin e Avdullah Hotit në vitin 2020. Edhe ne mund të mos e kishim votuar atë buxhet, por nuk donim të shkaktonim krizë. Ne atëherë e ditëm që po të mos e votonim atë buxhet, Hotit do t’ia bënim një goditje simbolike, por goditjen më të madhe do ta kishin ushtarët, policët, mësuesit, administrata e pensionistët”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se shteti nuk është skemë ku luajnë interesat.

Ai ka thënë se sot mund ta hapin një horizont të ri ku askush nuk humb asgjë.

“Sot ja vlen ta zgjedhim rrugën që duket ndoshta e komplikuar. Duhet të udhëheqim me guxim edhe në shtigje të pashkelura më herët. Qytetarët na duan neve që t’i zbatojmë detyrat që i kemi marrë. Rritja ekonomike vitin e ardhshëm do të jetë mbi 4 për qind të brutoproduktit vendor. Viti i ardhshëm do të jetë vit i investimeve kapitale, i mbështetjes së sektorit privat,  dhe i projekteve të reja energjetike. Do të jetë vit i rritjes së pagës minimale, i fillimit të ndërtimit të sistemit informativ shëndetësorë për fondet e sigurimeve shëndetësore, me sundim të ligjit dhe rendit do të jemi në nivel. 2026 do të jetë viti i fillimi i transformimit të shëndetësisë publike”, ka thënë ai.

Koci i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të ketë dalje më të ulët ndonjëherë

11 muaj më parë / 19 nën 2025 14:38
Melazim Koci

Opinionisti Melazim Koci është shprehur i bindur se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të karakterizohen nga pjesëmarrja më e ulët ndonjëherë, si formë ndëshkimi ndaj klasës politike.

“Jam i bindur se do të ketë dalje më të ulët ndonjëherë në zgjedhjet parlamentare. Do të jetë ndëshkim për papërgjegjshmërinë e klasës politike”, ka thënë Koci.

Ai vlerëson se abstenimi i qytetarëve mund të jetë proporcional, duke ndikuar negativisht në të gjitha partitë politike.

“Abstenimi nuk do t’i konvenojë asnjë partie. Të gjithëve do t’ua zbehë kredibilitetin”, shtoi opinionisti.

Limaj: Ata që kanë pasur mundësi ta shmangin krizën, janë sjellë papërgjegjshëm

11 muaj më parë / 19 nën 2025 14:19
Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se ata që kanë pasur mundësinë ta shmangin krizën aktuale, por janë sjellë në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme.

“Gjithë ata që po bëjnë thirrje në emër të interesit nacional, po tregojnë një hipokrizi të madhe. Ata që kanë pasur mundësi të mos e sjellin vendin në këtë gjendje, janë sjellë papërgjegjshëm dhe kanë bërë lojë elektorale të paskrupullt”, u shpreh Limaj.

Ai kritikoi mungesën e përpjekjeve për të arritur marrëveshje politike rreth mandatarit të dytë.

“Kur vjen te mandatari i dytë, duhet të ulesh, të bisedosh me partitë e tjera, të kërkosh konsensus duke vënë interesin shtetëror përpara. A keni parë këso zhvillimesh këto dy javë? Jo. Keni parë vetëm kush po ia lë kilen kujt. Jemi futur në garë se kush po bën lojën më destruktive”, ka thënë Limaj.

Ai shtoi se, pavarësisht përpjekjeve të Nismës për të shmangur krizën, skena politike është zhytur në kalkulime elektorale.

Abdixhiku: VV-ja s’i ka numrat, i shfrytëzoi 15 ditë për shfaqje teatrale

11 muaj më parë / 19 nën 2025 14:14
Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takim me presidenten kanë diskutuar ndonjë mundësi për të zgjatur buxhetin paraprak për tre muajt e ardhshëm.  Sipas tij, Osmani i ka njoftuar VV-në, por Abdixhiku deklaroi se ata nuk janë të interesuar për të gjetur zgjidhje.

“Sot, LDK-ja nuk pret asgjë, përveç faktit të konfirmimit që janë humbur 15 ditë, duke e ditur dhe pritur rezultatin e njëjtë. Pra, Lëvizja Vetëvendosje e ka ditur që nuk i ka numrat, e ka ditur që e kemi një krizë, e kemi paralajmëruar që kemi një krizë, dhe sërish kanë vendosur që të na i shfrytëzojnë 15 ditë. Gjithë ky shpenzim kohe është bërë për një qëllim, për shfaqje teatrale. Dhe nëpërmjet një shfaqje teatrale të tillë me disa kundërshtarë imagjinarë, përgatitën material për fushatë elektorale”, tha ai. “Nuk kanë interes për komunikim, kanë interes për shfaqje. Shfaqje do të kenë, shfaqje do t’iu japim”.

Abdixhiku e ka quajtur të gabueshëm veprimin e presidentes Vjosa Osmani që i dha edhe 15 ditë afat për mandatarin Glauk Konjufca.

“Është gabim i madh për republikën, ishte parë që nga fillimi që nuk e kanë shumicën dhe nuk e premtuan që do t’i bëjnë numrat. Është jo logjike dhe është vetëm humbje kohe. Në politikë duhet të ketë edhe dinjitet”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se VV-ja nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i kontaktuar.

Haradinaj: Konjufca të kërkojë falje, sot është dita e kthesës

11 muaj më parë / 19 nën 2025 14:13
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Glauk Konjufca si mandatar i dytë për kryeministër duhet të kërkojë falje që i vonoi qytetarët edhe për dy javë.

Para votimit në Kuvend, Haradinaj ka thënë se sot është dita e kthesës.

“Besoj që sot është dita e kthesës dhe nga sot fillon me numëru koha ndryshe, dhe jam optimist se zgjidhja do të jenë zgjedhjet dhe nuk duhet të humbasim kohë. U kërkoj falje qytetarëve të vendit, e sidomos atyre që janë prekë më shumë. Kemi qenë çdoherë në kërkim të zgjidhjes në kohë, por ka qenë e pamundur  të arrihet një zgjidhje e duhur pa ata që kishin fituar një shumicë më të madhe të votave”, ka thënë Haradinaj tek ka përsëritur qëndrimin kundër të AAK-së për votimin e Konjufcës.

Haradinaj po ashtu ka thënë se “ka qenë e udhës që të shkohet më herët në zgjedhje”.

“Koha e gjatë e humbur na obligon kësaj here që të jemi më të kujdesshëm. Aleanca nuk do të bëhet shkaktare. Kushdo që bëhet bllokues, nuk do të na ketë partner”, ka thënë ai. 

Sikur AAK-ja edhe partitë tjera opozitare janë shprehur se do të votojnë kundër Konjufcës.

Konjufca është mandatari i dytë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Paraprakisht, më 26 tetor Albin Kurti dështoi në votimin e parë. Pas tij presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor e mandatoi Konjufcën.

Haxhiu: Opozita e ka përmendur Konjufcën si unifikues, koha t’i japin mbështetje

11 muaj më parë / 19 nën 2025 14:10
Albulena Haxhiu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se partitë opozitare gjithmonë e kanë përmendur Glauk Konjufcën si person unifikues dhe tash është koha t’i japin mbështetje.

“Ata (opozita) gjithmonë e kanë përmendur Konjufcën si person unifikues. Sot është momenti t’i japin mbështetje. Nuk kemi pse shkojmë në dy palë zgjedhje në një kohë të shkurtër. Por sot, për hir të qytetarëve dhe të shtetit, le ta votojmë mandatarin, personin e dytë më të votuar, zotin Konjufca. Le t’i thërrasin mendjes, le të reflektojnë. Të mos kenë qasje destruktive”, ka thënë Haxhiu para seancës për formimin e qeverisë.

Basha thotë se seanca mbetet e hapur në rast se ka ndryshim të qëndrimeve të deputetëve

11 muaj më parë / 19 nën 2025 12:46
seance

Photo: Driton Paçarada

Seanca e jashtëzakonshme për komisionet që do i hapnin rrugë shqyrtimit të buxhetit ka mbetur e hapur, pas diskutimit të disa prej deputetëve të Vetëvendosjes dhe atij të PDK-së, Përparim Gruda i cili hyrë pasi nisi seanca dhe doli pas disa herësh që mori fjalën në foltore.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se arsyeja pse kjo seancë mbetet e hapur është nëse do të ketë ndryshim të qëndrimeve.

“Seanca mbetet e hapur në rast se kemi ndryshim të qëndrimeve dhe unë u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit që të mblidhemi dhe t’i kalojmë këto ligje që janë me rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Basha.

Ramosaj: Më vjen keq për grackën ku ka rënë Kurti, konferencat dhe foltorja e Kuvendit po keqpërdoren

11 muaj më parë / 19 nën 2025 12:39
Berim Ramosaj

Profesori Berim Ramosaj ka thënë se ndjen keqardhje në grackën që ka rënë kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas tij, konferencat për shtyp dhe foltorja e Kuvendit po keqpërdoren nga partitë politike.

Sipas Ramosajt, konferencat për shtyp dhe paraqitjet në foltoren e Kuvendit sot po përdoren kryesisht për retorikë populiste dhe për të bindur qytetarët që hezitojnë të shohin realitetin se kush është fajtori. Kjo tregon, sipas profesorit, që partitë nuk janë të sinqerta me qytetarët.

“Ato konferenca për shtyp ishin në bërjen e fushatës (nga partitë e ish-opozitës), ajo vazhdimësi janë edhe këto paraqitje në Kuvend (të Vetëvendosjes). Veç ka ndërru vendin. Këtu tregon se nuk jemi të sinqertë me qytetarët. Në ndërdije e dinë të gjithë se nuk është t’u u bo asnjë përpjekje për mos me shku në zgjedhje, e anën tjetër keqpërdoren konferencat për shtyp, foltorja e Kuvendit për paraqitje që më tepër kanë kuptimin e retorikave populiste për të bindur disa qytetarët që hezitojnë të shohin realitete se kush është fajtori”, ka thënë ai në emisionin special të KTV-së.

Profesori ka thënë se Kurti ka rënë në një “grackë” politike.

“Më vjen për ish-kryeministrin Kurti që ka ra në këto gracka në kuptimin e bërjes së politikës, ku krejt këto paraqitje kanë kuptim, por ishte dashur t’i bind partnerët politikë të bëhen bashkë dhe të realizojnë këto projekte. Por jo në mënyrë individuale që vetëm të tregohet çka mund të përfitohet, pa e bë as mundin minimal për t’i munduar partitë e tjera politike që të bëhen bashkë”, ka shtuar ai.

Ramosaj thekson se mënyra se si LVV-ja e ka thirrur seancën e jashtëzakonshme janë në kundërshtim me logjikën parlamentare.

“Së pari, nëse këto çështje kanë qenë shumë urgjente për Kuvend, së pari është dashur të mblidhet kryesia dhe vendos për një gjë të tillë. Jam i bindur se në kryesi, përfaqësuesit e partive ishin deklaruar aty që nuk do të marrin pjesë. Së dyti me përcaktu numrin real të deputetëve prezentë e më pas të vazhdohet me debat. Por kryetari Basha nisi direkt me debat. Përderisa s’janë bërë këto përgatitje, konsideroj se është vazhdimësi politike për keqpërdorim. Nuk besoj se opinionin publik është kaq lehtë i mashtrueshëm”, ka deklaruar ai.

Gërvalla apel publik deputetëve të LDK-së: Mos u bëni me bllokuesit

11 muaj më parë / 19 nën 2025 12:30
Donika Gërvalla

Photo: Driton Paçarada

Ministrja e Jashtme në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, u është drejtuar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës me një apel publik deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

“Ju bëjë apel gjithë ju që keni mundësinë, pasi kjo seancë nuk mbyllet tani, që të vini në një orë të mëvonshme e t’i votoni marrëveshjet ndërkombëtare në atë sensin e parimeve mbi të cilat është krijuar, ndërtuar dhe zhvilluar partia e juaj. Mos u bëni kontribuues të bllokimit të shtetit, nuk ju bën nder”, tha Gërvalla. 

Gërvalla tha se nuk ka pasur shumë pritje nga PDK-ja, AAK-ja e s’ka pasur fare pritje nga Lista Serbe.

Por, thotë se i fton deputetët e LDK-së të marrin pjesë në seancë. 

“Ju fton publikisht se si parti e ardhur nga një traditë institucionaliste, mos u bëni bashkë me ata që s’i respektojnë institucionet, që i bllokojnë proceset e rëndësishme, që e bllokojnë buxhetin, që i bllokojnë pagat dhe të ardhmen e vendit”, tha Gërvalla. 

 

Kurti: Nëse dështon sot seanca, humbim miliona që do t’i marrin shtete të tjera

11 muaj më parë / 19 nën 2025 12:15
Albin Kurit

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se po që se Kuvendi nuk i miraton sot propozimet e rendit të ditës për kreditë dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, Kosova do të humbë miliona euro.

Sipas tij, ka shumë shtete që presin të përfitojnë kredi si ato të cilat i ka miratuar qeveria e tij.

Ai ka thënë se komisionet e përhershme duhet të formohen pavarësisht a ka qeveri apo jo.

Tek ka folur për marrëveshjet financiare, Kurti ka thënë se “afatet po ecin” dhe se “koha nuk është burim i ripërtërishëm”.

“Koha kalon në të kaluarën në pakthim. Çdo vonesë e mëtejme e komplikon dhe rrezikon përfitimin dhe zbatimin e fondeve”, ka thënë ai teksa ka folur për Planin e Rritjes dhe Marrëveshjen për reforma me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, e që sipas Kurtit janë kredi me kamatë zero. “Nëse shkojmë në zgjedhje këto mjete pra 90 milionë euro për të cilat ne kemi punuar e angazhuar, do të humbin, sepse ka shumë shtete tjera presin me krahë të hapur financim të tillë”, ka thënë ai.

Kurti më tej ka thënë se në Kosovë nuk ka krizë ekonomike e se kjo është arsyeja përse nuk ka protesta nga qytetarët. 

“Në Kosovë s’ka krizë ekonomike. Rritja ekonomike në çerekun e dytë sivjet ka qenë 4.58 për qind të bruto produktit vendor. Në këto katër vite sa isha kryeministër e tash edhe sa jam në detyrë, asnjëherë rritja nuk ka qenë nën 4 për qind. Rritja ekonomike është 6 për qind. Prandaj s’ka protesta të qytetarëve, por vetëm ankesa të opozitarëve. Në Kosovë s’ka krizë ekonomike. Po rrezikojmë krizë sociale nga kriza buxhetore e financiare për shkak të keqpërdorimeve të procedurave. Le të mos keqpërdoren procedurat. Le të jemi në nivel të përgjegjësisë si përfaqësues të popullit, por edhe si zyrtarë të shtetit, si dikush që personifikon dhe ndërton imazhin e shtetit të pavarur si republikë demokratike”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se partitë që kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme “nuk kanë alibi”.

“Nëse ne qenkemi vonuar, përse nuk janë këtu për të na lënë neve fajin e popullit buxhetin”, ka thënë Kurti. 

Haxhiu-Grudës: Ne kemi mundur ta bënim Qeverinë, por nuk bëjmë pazare si ju

11 muaj më parë / 19 nën 2025 12:04
Albulena Haxhiu

Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se deputeti Gruda nuk po e lexon paragrafin 5 të nenit 31 deri në fund. Kjo pasi sipas saj, qeveria e ka përfunduar mandatin në fund të marsit, dhe kjo e lejon që qeveria në detyrë të dërgojë buxhetin në Kuvend.

Haxhiu ka thënë se kanë mundur ta bëjnë Qeverinë, por ka deklaruar se nuk bëjnë pazare si opozita.

Sipas saj, opozita bashkë me Listën Serbe janë bërë bashkë për të bojkotuar vendimet e rëndësishme të vendit.

“Buxheti nuk është i Albin Kurtit, është i qytetarëve. Me pas Prokurori të përgjegjshme të gjithë ata që tentojnë ta fusin vendin në krizë sociale do të duhej të përgjigjeshin penalisht. Ne kemi mundur të bëjmë qeverinë por nuk bëjmë pazare siç keni bërë ju. Me tendera, ambasada me Listën  Serbe që e keni prit me orë të tëra në Kuvend. Ne shkojmë në zgjedhje pastaj qytetarët ua japin ndëshkimin që e meritoni”, ka thënë ajo